(2L ONLINE) – Për punën e deritanishme të Kuvendit Komunal të Gjilanit flet për Portalin 2L Online edhe Nevzad Isuf, shef i Grupit të Këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, sipas të cilit katër këshilltarët e Vetëvendosjes i kanë dhënë ngjyrim pozitiv këtij Kuvendi, ndërsa e ka vlerësuar të panevojshëm e të keqe faktin që ndjehet një frymë tejet revanshiste ndërmjet dy grupeve parlamentare, të cilat kanë qenë në pushtet, Pra, LDK-PDK, gjë që bënë që shpesh debati të bie në nivel aspak parlamentar.
Grupi I Këshilltarëve të Vetëvendosjes përveç Nevzad isufit përbëhet edhe prej Fehmi Sylejmanit, Besa Baftiut dhe Arjeta Rexhepit. Përndryshe Isufi në formë kronologjike ka dhënë përshtypjet e tija për punë ne deritanishëm të Kuvnedit duke u nis nga seanca e parë që ka pas karakter solemne, për të vazhduar me seancën tjetër ku është bërë zgjedhja e Kryesuesit të Kuvendit, me ç’rast ai tha Vetëvendosje ka bërë vërejtje për mënyrën e zgjedhjes së kryesuesit me vetëm një kandidatë të propozuar, për shkak se ka konsideruar se nuk iu është dhënë mundësia për të zgjedhur, qoftë edhe brenda vetë partisë e cila ka fituar shumicën dhe e cila realisht edhe e udhëheq Kuvendin.
Sipas tij, në të njëjtën seancë është bërë propozimi –vendimi për numrin e anëtarëve të komiteteve të Kuvendit, pastaj propozimi për ndryshimet statutare, propozim vendimi për orarin e takimeve të Kuvendit. Po thuajse për të gjitha këto pika, çështje, grupi parlamentar i vetëvendosjes ka diskutuar, ka dhënë propozime dhe vërejtjet, të cilat besohet për shumicën e qytetarëve të interesuar nuk ka qenë e vështirë të vërehet.
Ai shton tutje se brenda të njëjtit muaj është mbajtur edhe seanca e dytë, ku për shkak se ka qenë momenti i fundit për të dhënë raportin financiar të tremujorit të fundit të vitit 2013, i vetmi raportim financiare që ka mundur të jetë i afatshëm, ndërsa të gjitha raportet tjera financiare për vitin 2013 kanë qenë të pa afatshme ligjërisht.
“Duhet përmendur se çështjet më përmbajtjesore që kanë të bëjnë me qytetarët e që janë shqyrtuar deri më tash në Kuvend kanë qenë, çështje e rregullores për taksat dhe raporti financiar për vitin 2013, ku në mënyrë më të mirë janë shqyrtuar dhe debatuar çështje me rëndësi, me ç’rast edhe grupi ynë i Këshilltarëve ka qenë mjaftë aktiv si në vërejtje, propozime e sugjerime. E gjithë kjo është bërë edhe në këshillim me grupin e punës dhe me përfaqësuesit e Nënkomiteteve tona brenda Lëvizjes”, ka thënë Isufi.
Ai shtoi se të gjithë janë në dijeni për ngecjet e punëve të Komunës, sepse ka pasur shumë vonesa në themelim të Komiteteve përkatëse, ndonëse Lëvizja me kohë ka kompletuar njerëzit që të i përfaqësojë në këto komitete, në harmoni me përqindjen e votave të fituara.
Ndërsa, siç thotë Isufi, partia në pushtet, LDK-ja ende nuk ka kompletuar të gjitha drejtorit me drejtor, siç është rasti me Drejtorinë për kulturë , rini dhe sport, ndërsa siç është e njohur një kohë të gjitha drejtoritë kanë udhëhequr ushtruesit e detyrës, gjë që ka qenë shkelje ligjore dhe për të cilat me kohë Vetëvendosje ka reaguar.
Ai tha se duhet përmendur se ngecje ka pasur në themelimin e të gjitha komiteteve, me përjashtim të Komitetit për politikë dhe financa, pasi që ai domosdoshmërisht do t’i prijë seancave të Kuvendit, përndryshe do të kishim edhe këtu vonesa si te çdo komitet tjetër.
Nga komitet tjera, Komiteti i arsimit ka mbajtur mbledhje, komiteti për ekonomi dhe komiteti për komunitet dhe komiteti për kadastër, pronë dhe rindërtim, ndërsa të tjerat kanë mbajtur mbledhjet “ekspres” pas vërejtjeve sa për të thënë se janë mbajtur.
“Vështruar nga pikëpamja jonë, si grup i ri, për herë të parë në Këshillin komunal, mendoj se përfaqësoj edhe mendimin e këshilltarëve të grupit tonë, se ndjehet një frymë tejet revanshiste ndërmjet dy grupeve parlamentare, të cilat kanë qenë në pushtet, Pra, LDK-PDK gjë që bënë që shpesh debati të bie në nivele aspak parlamentar dhe që ulë debatin, gjë që të bënë të ndjehesh keq, pa pasur mundësinë e diktimit të një debati përmbajtjesor, por ne kemi pasur kujdes të mos implikohemi në debate të tilla dhe mendoj se deri tash ia kemi arritur”, ka thënë Isufi.
Ai mendon se deri tash grupi i Këshilltarëve të Vetëvendosjes ka dhënë një ngjyrim pozitiv, por vërehet një komoditet në rritje i pozitës, ndoshta për shkakun të sigurimit të numrave, të cilët jo rrallë po stëvlerësohen.
“Përgjithësisht ne si grup i këshilltarëve, ndonëse jemi si të gjithë në përfaqësim të një subjekti politik, gjithnjë deri më tash i kemi dhënë përparësi dhe theks rolit të këshilltarit si një përfaqësim gjithëqytetar, se sa ekspozimit dhe thirrjes në subjekt politik siç po e bëjnë dy grupacionet me të mëdha politike, të cilat me aludimet e alegoritë e vetmburrjet e tyre po ngrisin tensionet, duke margjinalizuar temën e paraparë për diskutim”, thotë Isufi i Vetëvendosjes.
Sipas tij, qëndrimi i pozitës ndaj opozitës është paksa si shumë shpërfillës dhe Vetëvendosje po përpiqet me qëndrimin e saj të jetë e përqendruar në parimësi, në drejtimin e vëmendjes në temat e diskutimit dhe kontributin e tyre në to, me kritika parimore, me dhënie të opsioneve e propozimeve konkrete, kundrejt dy polarizimeve me një gjenezë në rolin (ish)pushtetar.
“Ne si grup parlamentar na mbetet që si edhe deri tash, edhe në të ardhmen të mbetemi aktivë dhe syçelë, për të apostrofuar të gjitha shqetësimet qytetare, mangësitë, shkeljet, padrejtësitë, nepotizmin e korrupsionin, sa herë që kemi fakte, ndërsa kur nuk kemi t’i gjurmojmë e vërtetojmë sepse vetëm kështu kryejmë detyrën qytetare dhe arsyetojmë besimin e dhënë”, ka thënë në fund, Nevzad Isufi, Shef i Grupit të Këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje. /2l Online/