Ish-ushtari i UÇK’së, Afrim Zeqiri, nga Cërnica e Gjilanit, i cili kohë më parë kishte emigruar në Francë, gjatë procesit të riatdhesimit të një grupi kosovarësh është ndaluar nga autoritetet franceze pasi ka rezultuar në listën e të kërkuarve nga Interpol’i ku kërkohet nga Serbia.
Siç konfirmon për Express, Ahmet Daku, kryetar i OVL të UÇK’së në Gjilan, Afrim Zeqiri është arrestuar sot nga autoritetet franceze gjatë programit të riatdhesimit të një grupi kosovarësh nga një kamp azili në Francë. Gjatë verifikimit, Afrim Zeqiri ka rezultuar i kërkuar nga INTERPOL’i, me kërkesë të Serbisë. Me këtë rast autoritetet franceze po kërkojnë transferimin e Afrim Zeqirit në Serbi.
Express merr vesh se Afrim Zeqiri, i njohur për publikun me rastin e gjykimit për rastin e një sulmi ndaj serbëve, gjatë administrimit të UNMIK’ut, për të cilin ishte shpallur i pafajshëm në të gjitha shkallët e gjykatës dhe ishte në procedura për të marrë dëmshpërblimin për kohën e qëndrimit në burg, kohëve të fundit kishte emigruar në Francë pasi kishte një djalë të sëmurë me një diagnozë të rëndë dhe duke mos qëndruar mirë financiarisht ishte detyruar të emigronte, me shpresën që të gjente edhe mjekë më të mirë për shërimin e djalit të tij. Por sot ai është ndaluar nga autoritetet franceze dhe po rrezikon të transferohet në Serbi, si pasojë e gjetjes së emrit të tij në listën e INTERPOL’it, të të kërkuarve nga Serbia.
Këtë njoftim, për Gazetën Express, e jep kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i degës në Gjilan, Ahmet Daku.
“Kërkojmë nga organet e shtetit që t’i mbrojnë njerëzit e vet jashtë shtetit, pasi për atë janë caktuar ambasadorët, për atë është Ministria e Punëve të Jashtme e organet e tjera shtetërore. Përmes këtij prononcimi për Gazetën Express, kërkoj nga organet përkatëse që t’i dalin në ndihmë në këtë rast Afrim Zeqirit dhe gjithashtu ta ngrenë në nivel bisedimesh çështjen e listës së pjesëtarëve të UÇK’së me të cilën Serbia po vë në lajthitje edhe INTERPOL’in”, thotë Ahmet Daku për Express.
Ky nuk është rasti i parë që ish-pjesëtarë të UÇK’së kanë probleme gjatë udhëtimeve të tyre kudo jashtë Kosovës, për shkak të kësaj liste që përmban shumë emra të ish-pjesëtarëve të UÇK’së, të cilët kërkohen nga INTERPOL, me kërkesë të Serbisë. Po për shkak të ekzistimit të emrit të tij në këtë listë sot është ndaluar edhe Afrim Zeqiri.