(2L ONLINE) – Në vazhdën e aktiviteteve të ditës, Isa Mustafa, kryetar i LDK-së dhe kandidat për kryeministër, i shoqëruar nga kryetari i degës së LDK-së në Gjilan Lutfi Haziri dhe bashkëpunëtorë nga kryesia qendrore dhe ajo e degës, kanë vizituar sot bizneset gjilanase.
Mustafa së pari ka parë nga afër punën e madhe që po bëhet në kompaninë për prodhimin e pijeve “Fludi”, pastaj në “Agro Hermes” si dhe në fabrikën “Çeliku” dhe “Drini Market”.
Në këto vizita kryetari i LDK-së është shoqëruar edhe nga pesë kandidatët nga Gjilanit për deputet: Lirije Kajtazi, Naim Behluli, Murat Hoxha, Sabit Rrustemi e Fatmir Rexhepi.
Me këtë rast, kryetari Mustafa ka përgëzuar bizneset për punën e mirë që po e bëjnë, duke thënë se me ardhjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës në qeveri, do të ketë lehtësira të mëdha për bizneset gjilanase.
“Unë ju përgëzoj për punën e madhe që po bëni me gjithë vështirësitë dhe sfidat gjatë punës. Disa nga prodhimet e kompanive kanë arritur të depërtojnë me prodhimet e tyre jashtë vendit dhe ky është një dimension tejet I rëndësishëm. Dua t’ju them se LDK e ka programin më të mirë për zhvillimin e ekonomisë dhe duke e zbatuar atë sapo të vijmë në pushtet, do t’i ndihmojmë bizneset duke iu krijuar lehtësira, duke e shqyrtuar akcizën dhe çështje të tjera”, tha Mustafa.
Më pas, kandidati i LDK-së për kryeministër ka qenë i pranishëm në një debat me studentët e Kolegjit Universitar “Gjilani”, në të cilin ka folur rreth zhvillimit të resorëve të rëndësishëm të shoqërisë.
Ai ka prezantuar platformën e LDK-së për zhvillimin ekonomik, për arsimin, shëndetësinë e bujqësinë.
Kreu i LDK-së tha se do të investojmë në arsim, duke e rritur cilësinë, ngase kusht për të ardhur investitorët e huaj është që të ketë kuadra cilësore për të mos investuar dy herë në shkollim.
Sa i përket sektorit të shëndetësisë, Mustafa tha se prioriteti LDK-së është aftësimi i shëndetësisë primare, ndërsa do të punohet shumë që qytetarët e Kosovës të mos shkojnë jashtë vendit për shërim, por këtë ta bëjnë në Kosovë. Ndërsa sa i përket sektorit të bujqësisë, pohoi se do të rriten subvencionet për bujqit për tre herë më shumë se që është aktualisht. /2L ONLINE/