(Reagim ndaj deklaratave të zëvendëskryeministrit dhe ministrit Aleksandër Jabllanoviq)
(2L ONLINE) – Para pak ditësh, një zyrtar i Qeverisë së Republikës së Kosovës, zëvendëskryeministri dhe ministri për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviq, duke shkelur mbi gjakun e shqiptarëve të rënë dhe të zhdukur gjatë luftës për çlirim nga dhuna dhe gjenocidi serb, mori guximin që një grup nënash protestuese dhe protestuesit në përgjithësi t`i quante “egërsira” për shkak se paqësisht po pengonin pelegrinët serbë drejt qytetit të Gjakovës me rastin e Krishtlindjes Ortodokse.
Në radhë të parë, është turpëruese të përdoret një fjalor i tillë nga një zyrtar qeveritar i Republikës së Kosovës. Së dyti, ironia e tij për gjoja mosdijen e një numri të madh të viktimave dhe të të zhdukurve në Gjakovë dhe përgjithësisht në Kosovë gjatë luftës së vitit 1997-1999, lë për të dëshiruar për injorancën e shfaqur. Dhe së treti, përkrah politikës mohuese, justifikimi i forcave serbe për gjoja se viktimat janë shkaktuar si pasojë e sulmeve ajrore të NATO-s, është absurd që nuk mund ta arsyetoj logjika e shëndoshë njerëzore.
Për “injorancën” e ministrit Jabllanoviq, sipas të dhënave të grumbulluara dhe publikuara nga institucione shkencore dhe organizata ndërkombëtare, gjatë luftës në Kosovë nga janari i vitit 1998 deri më 12 qershor 1999 ka pasur 12.843 viktima të kombësisë shqiptare, prej tyre më se 1.700 femra. Rreth 1450 vetë akoma janë të pagjetur. Përveç vrasjeve në forma të ndryshme deri në gjenocid ndaj shqiptarëve (gra, burra, pleq e fëmijë) të Kosovës, janë shkatërruar afër 190 mijë objekte banimi dhe janë dëbuar më se 1 milion banorë. Kjo periudhë e luftës në Kosovë përfshiu masakrime, dhunime femrash, dëbime, helmime, varreza masive, rrëmbime e rrënime objektesh të shkaktuara nga ushtria, policia dhe paramilitarët serbë.
Plagët e luftës janë të pashërueshme dhe akoma prezente tek popullsia shqiptare e Kosovës. Grupi i grave nga Gjakova ka 15 vite e më tepër që bënë thirrje për fatin e më të dashurve të tyre. Me gjithë përpjekjet që bëhen nga institucione dhe forume ndërkombëtare për të gërshetuar dhe administruar institucionet e Republikës së Kosovës në parimin e multietnicitetit, kompromis ky i bërë nga udhëheqësit e Kosovës, është e papranueshme që në institucionet tona të përfshihen elementë që fyejnë të kaluarën e popullit shqiptar dhe me cinizëm të mohojnë atë. Drejtuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të zgjedhur nga populli, duhet reflektuar vazhdimisht mbi të kaluarën e popullit shqiptar të Kosovës dhe sakrificave shekullore për çlirim nga okupimi serb. Elasticiteti zyrtar karshi fyerjeve të tilla, për ne nënkupton aprovim të ngacmimit të plagëve dhe rrëshqitje drejt të kaluarës. /2L ONLINE/
LIDHJA E HISTORIANËVE TË KOSOVËS “ALI HADRI” DEGA NË GJILAN