(2LONLINE) – Në Degën e Gjykatës në Viti u mbajt kremtimi për inaugurimin e objektit të renovuar të gjykatës. Renovimi i gjykatës u mbështet nga USAID-i në bashkëpunim me Ministrinë Norvegjeze për Punë të Jashtme dhe me Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK). Në ceremoni morën pjesë drejtoresha e misionit të USAID-it Maureen A. Shauket, përfaqësuesi i KGJK-së Agim Maliqi dhe kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit ZyhdiHaziri.
Renovimi i objektit të gjykatës është në përputhje me ndryshimet që janë bërë në 11 objekte të tjera të gjykatave përmes Programit për Sundimin Efektiv të Ligjit (EROL) të USAID-it. Tiparet e reja arkitekturale të objektit të gjykatës janë dizajnuar për të promovuar transparencën dhe efikasitetin – dy standarde kyçe të administrimit të gjykatave modele. Objekti i gjykatës përfshinë zyrat e regjistrimit të orientuara kah shërbimet, sallat e renovuara të gjykimit dhe një hapësirë të përmirësuar për publikun e cila përmban shenjëzimin e duhur dhe ku vihen në dispozicion informatat për orarin e gjykatës.
“Objekti i Degës së Gjykatës në Viti është transformuar plotësisht” tha ZyhdiHaziri, kryetar i Gjykatës Themelore të Gjilanit. “Përmirësimet fizike të saj pasqyrojnë standardet më të avancuara ndërkombëtare për funksionim të hapur dhe me qasje të gjykatës, që bashkë me shërbimin transparent dhe efikas të stafit të gjykatës, do të rrisin besimin e qytetarëve në gjyqësorin e Kosovës.”
Programi katërvjeçar i USAID-it për Sundimin Efektiv të Ligjit që implementohet nga ChecchiandCompanyConsultingInc. ka filluar në mars të vitit 2011 për të ndihmuar në ndërtimin e një sistemi të drejtësisë më efektiv dhe të pavarur në Kosovë. Ai ka zëvendësuar Programin për Mbështetje të Drejtësisë (JSP) që ka kryer renovimin e dhjetë objekteve të gjykatave. USAID-i ka ofruar përkrahje ekonomike dhe humanitare në tërë botën për më shumë se 50 vjet. /2lonline/