Letër e hapur Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli dhe të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës
I nderuar z. Veseli,
I nderuar deputet,
Vota ime është e shenjtë për mua por edhe shumë e shtrenjtë për Ty! Vota ime të ka dërguar aty te më përfaqësosh mua, familjen time, bashkë qytetarët e mi!
I nderuar deputet i Kuvendit të Republikës, dje edhe unë shënova ditën e madhe, të shenjtë të Flamurit tonë! Ditën kur plaku i Vlorës, Ismail Qemali ngriti flamurin e Skënderbeut dhe shpalli mëvetësinë e Shqipërisë! Atë ditë kur fatin e vet gjysma e popullit tonë e mori në duart e tija! E shënova edhe unë, me flamurin tënd e timin, flamurin e Skënderbeut! Sot, një ditë pas unë jam më i lehtë në xhepa, nuk e di si do të kaloj këtë muaj, jo se nuk di e nuk dua, por paga ime mezi e ka mbuluar drekën e festës dhe disa flamuj e bluza për fëmijët!
E zgjodha të shkruaj sot, jo dje dhe jo nesër, më preku një fjalë e një hiqi derisa dola edhe unë këtë të diele të pija një kafe. Dikush afër tavolinës time fliste për të kaluarën “sa mirë ka qenë më parë, me 29 nëntor festonim të gjithë, Tito na jepte edhe rroga shtesë për ditën e çlirimit”!!! Nuk jam përjashtues, nuk do të pranoja të shkelja të drejtat e njeriut askujt, me asnjë çmim, jo, se i kam provuar vetë shkeljet, nuk jam as hakmarrës se kam një amanet që më rëndon si gur!
Por…por diçka nuk është në rregull. Nuk është në rregull me shtetin tim. Po më zë frymën çdo ditë, po më ngulfat dhe tani po bindem të ik, të bëjë atë që e kam urrejt gjithmonë, të ik nga vendi im. Të marr botën në sy.
I dashur deputet, i djathtë apo i majtë, paqësor apo i ardhur nga lufta heroike e UCK-së, PDK, LDK apo VV, AAK nuk ka pikë rëndësie nga cilën bindje politike ke, për mua je një.
Kosova ime dhe e jotja sot po vuan, po vuan nga ne. Nga Ti e unë. Ulem në gjunjë e të puthi dorën e pushkës së lirisë, jo vetëm ty po edhe Ramushit e Rexhep “dhjetëshit” edhe Dautit e Remit, Ilmisë e Lahisë. I përkulem Xhavitit e Naitit e Florës për veprimtarinë e tyre kombëtare. Ju jeni heronjët e viteve të rinisë së hershme. Ju jeni pushka e trashëguar e Hysen Tërpezës, Shaban Polluzhës, Mulla Idrizit e Adem Gllavicës. Ju jeni vazhdimësia e Metush Krasniqit, Rexhep Malës, Jusuf Gëevallës e Kadri Zekës, por një gjë nuk po e kuptoj. Nuk ka birë nëne që ma qartëson. Si është e mundur që Ju z. Veseli dhe ata që përmenda më lartë uleni bashkë me ata tjerët. Bashkë me ata që dje ju quanin tradhëtar, irridentista, nacionalista e prishës të rendit kushtetues të JugoSerbisë?
I nderuar deputeti im, pavarësisht cila është bindja ime politike, sot dua dicka krejt tjetër, sot do të doja të qartësoja dicka në mendjen time. Si është e mundur që ata që na shanë, na vranë, na shtypën 50 vite, prapë të na shajnë e të na nënqmojnë? Nuk po flas sot për “zajednicën” as për tokën e falur cubave të Cetinjes as për protestat e opozitës e as për sjelljen e policisë, as për gasin lotësjellës as për kërbaqët, e di të sigurt se as ti nuk i do as “zajednicën” e as nuk pranon ti falet toka cubave të Cetinjes, jam i sigurt por si është e mundur që ti që respekton cdo vit me lule varrin e Shaban Polluzhës të jesh shërbëtor i një ish udhëheqësi komunist, shërbëtor i një ish-shërbëtori te Millosheviqit?
Unë mundohem ta kuptoj Shpendin që e ke vënë në krye të Policisë time, në fund të fundit ai nuk është përgjegjës për rrahjet, torturat e shtypjet që ka bërë babai i tij por nuk e kuptoj shtetin tim, po si ta kuptoj Sheremetin që rrahu atëher e rrah prapë? Kërbaq atëher e kërbaq sot!Nuk e kuptoj deputetin tim, që nuk ka sjellë ligjin për pastrimin e figurave nga e kaluara e tyre si vrastare e bijëve të lirisë. Si është e mundur që edhe sot dënojnë ata që dje e dënuan Heroin tim e tëndin Afrim Zhitia? Si është e mundur që ai që dje ata që dënuan ne që kërkonim Republikën e Shqipërinë, sot na dënojnë prapë në emër të po kësaj Republike? Si qytetar i Republikës së Kosovës, ndërtuar mbi gjakun e këtij populli, i Republikës së dal nga lufta e Hysen Terpezës, Shaban Polluzhës, Mulla Idrizit, Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut, Ademit e Hamzës, Luanit, Shkëlzenit e Mujës, Fehmiut e Xhevës …Republikës së ardhur nga vuajtjet e bacës Adem, Metush Krasniqit, Nuhiut, Rexhepit, Jusufit e Kadrisë, Hydajetit e Naitit…. dua të di kush ka pas të drejtë, këta që përmenda apo ata tjerët?
Nuk ka asnjë mundësi që të dyja palët të kenë pasur të drejtë! Ose Afrim Zhitia e Fahri Fazliu ose ministri i asaj kohe Isa Mustafa!!!! Ose Tahir Meha ose udhëheqësit e asaj kohe, bijtë e të cilëve sot i keni sjellë prapë në majat e pushtetit të Republikës! Njëra anë ka të drejtë, vetem njëra!
Të gjithë Ju që keni qenë në anën e Shabanit e të Hysenit, të Afrimit e Fahriut, të Ademit, Luanit e të Mujë Kapuqit, të Metush Krasniqit e Jusuf Gërvallës Gëzuar 28 Nëntorin e Flamurit.
Ju të tjerët që keni qenë në anën e Titos, Rankoviqit,të … ndjekësve të tij….Rrahmanit e Azemit…. urime Dita e Juaj 29 nëntori i Marshallit tuaj Tito. Dita e AVNOJ-it!
Kosova nuk i duron dot të dyja!
Me respekt,
Ilir Murtezi- Tërpeza
Qytetar i Republikës së Kosovës