(2L ONLINE) – Vehid Ibrahimi nga fshati Muqibabë i Gjilanit, thotë të jetë tepër i pikëlluar kur sheh skena të kosovarëve që po e lëshojnë vendin, e pamje të tmerrshme nëpër stacione apo kufi, madje edhe të nënave me fëmijë të vegjël, andaj i lut bashkëkombësit e tij të ndalen, të mos e marrin këtë rrugë dhe të mos e lëshojnë Kosovën.
Ai thotë se nuk beson që dikush prej atyre që po e lëshojnë Kosovën ka mundësi të jetë më i varfër se familja e tij pesë anëtarësh, por se, thotë se, kurrën e kurrës nuk do ta lëshojë Kosovën.
Kjo familje, e cila aktualisht jeton në shkollën e fshatit pasi në korrik të vitit të kaluar nga rryma iu kishte djegur shtëpia në tërësi, thotë se jeton në kushte të vështira, por e duan vendin e tyre sa që edhe po t’ia dhuronin gjysmën e Gjermanisë nuk do ta lëshonin Kosovën.
“Ma fukara se unë s’ka po Kosovën nuk e lëshojë”, thotë Ibrahimi, për Portalin 2L ONLINE, për të treguar edhe se jeton një jetë të rëndë, tani edhe pa shtëpi. Ai thotë të i ketë tre gomarë me të cilët bëhet idare, pasi me ta bartë dru për shitje, me ta bartë ujë, por edhe për bartjen e të sëmurëve deri në rrugën krysore dhe se i vlerëson si pasurinë më të madhe që e ka.
“Jam pajtue me jetën time në katund dhe jo vetëm Kosovën por as Muqibabën nuk e lëshojë edhe pse, për fatkeq, institucionet komunale në Gjilan, ende nuk po ma bëjnë çahren edhe përkundër premtimeve”, thotë ibrahimi, i cili për shumë vite edhe është përgjegjës i këtij fshati që ndodhet në brezin kufitar.
Por, ai pranon se duke jetue në shkollë edhe po bëhet pengesë për procesin mësimor, por edhe nxënësit po bëhen pengesë për familjen e tij që ta ketë një jetë të qetë në skamjen e tij, por pret që komuna ta ndihmojë për të siguruar një kulm mbi kokë.
Megjithatë, u ndihmua apo jo, ai nuk e mendon asnjëherë largimin e familjes së tij nga Kosova, bile angazhohet që këtë të mos e bëjnë edhe të tjerët në këtë fshat edhe pse, në këtë drejtim, fatkeqësisht, ai e pranon se nuk ia ka arritur t’i ndalë disa të rinj, që veç kanë marr rrugën e migrimit dhe tani ndodhen jashtë Kosovës. /2L ONLINE/