Hogosht– (2LONLINE) – Iniciativa e Pavarur Qytetare e Hogoshtit me rrethinë, të martën në mesditë, i ka ardhur Ikrari nga instancat më të larta të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për t`u bërë komunë në vete.
Qemajl Biqkaj, anëtarë i IPQ-së, pasi përshëndeti qytetarë të shumtë në hapësirat e shkollës së Gjimnazit, tha se Hogoshti, aktualisht është një ndër fshatrat më të mëdha dhe se ajo po përgatitet që bashkë me fshatrat tjerë përreth të bëhet komuna më e re e Kosovës, pasi qytetarët e këtij lokaliteti janë të vendosur për ta shpallë Hogoshtin komunë.
Sipas tij, banorët e këtij lokaliteti me padurim kanë pritur ditën e sotëm për ta konfirmuar përgatitjet për shpalljen e sajë komunë. Ndërkaq, Koordinatori i Iniciativës së Pavarur Qytetare të Hogoshtit me rethinë, Jahi Kastrati, ka falënderuar këshillin lobues në Prishtinë, Gjilan dhe Dardanë, për përshpejtimin e njohjes së Hogoshtit komunë.
Ai para të pranishmëve të shumtë, ka treguar angazhimin e hogoshtasve dhe mundin e tyre për ta bërë fshatin e tyre komunë.
”Presim që institucionet më të larta të vendit që sa më shpejtë të shpallin Hogoshtin Komunë të re të Kosovës”, ka thënë Kastrati duke shtuar se, hogoshtasit janë në fazën e fundit përgatitore për të ndërmarrë këtë hap, dhe se kjo është vullnet i mbarë qytetarëve të Hogoshtit dhe të atyre nga fshatrat përreth.
Ai ka përkujtuar se Hogoshti historikisht ka qenë Komunë deri në vitin 1958/1959 ku edhe u suprimua nga autoritetet e atëhershme për rrethana të njohura të asaj kohe dhe se me shpalljen komunë tani, vetëm se zbatohet vullneti i qytetarëve të kësaj ane dhe se përpjekjet për komunën e Hogoshtit datojnë me dekada, mirëpo njoftimi në mënyrë zyrtare drejtuar institucioneve të larta të vendit datojnë që nga vitit 2005. Ai tha se për një gjë të tillë janë në pritje të gjitha lokalitetet përreth, të cilat do të jenë pjesë e komunës se ardhshme.
Hogoshti me rrethinë i plotëson kriteret për një komunë çfarë kërkohet dhe se do të jetë edhe një masë për parandalimin e shpërnguljes së qytetarëve të kësaj ane.
Kastrati ka bërë të ditur se qytetarët e Hogoshtit me rrethinë gjithnjë kanë shpresuar se do të vij një ditë kur do ti kthehet statusi i komunës së suprimuar me dhunë dhe pa të drejtë.
Qëllimi i themelimit të komunës është sepse do të kemi shërbimet më afër për qytetarin, nxitje më të shpejt të zhvillimit ekonomiko-shoqëror, ndalja e migrimit – shpërnguljes së banorëve nga fshati në qytet, ndërprerja e shpopullzimit të mëtutjeshëm të banorëve, ngase ky territor është i karakterit strategjik etj.
Ai ka shtuar se në bazë te decentralizimit për themelimin e një komune të re, Hogoshti me rrethinë i plotëson të gjitha kriteret që kërkohen: Hogoshti ish komunë ka një karakteristikë të veçantë, me një pozitë strategjike, është brez kufitar me një gjatësi prej 40 km. që kufizohet me Republikën e Serbisë,përfshinë një të tretën e territorit të komunës së Kamenicës , posedon një sipërfaqe prej 200 km. katror, me 25 vendbanime, 5-së fshatra të mëdha urbane dhe 20-të fshatra malore.
Hogoshti me rrethinë është i organizuar në 7-të Bashkësi lokale. Në Hogosht punojnë dhe veprojnë: Zyra e gjendjes civile, Posta- shërbimi postar, ku nën juridikacionin e saj gjenden të gjitha fshatrat per rreth, Stacioni shëndetësor, Biblioteka publike, shkolla fillore, shkolla e mesme, shoqëria kulturo-artistike „ jeta e Re“, klubi futbollistik „ Kika“ dhe kooperativa bujqësore „ Përparimi“. Sa i përket arsimimit të hogoshtasëve dhe rrethinës së saj, shkalla e arsimimit është mjaftë e lartë, kemi intelektual të shkolluar të të gjitha profileve me mbi 400 veta: si mësues, profesor, ekonomist, jurist,mjek, ing. të teknologjisë, ing. ndërtimtarisë, ing. të gjeologjisë, ing. të xehetarisë, ing.të pylltarisë dhe mjek të veterinarisë etj, pra nga këto kuadro shumë drejtori udhëhiqen në komunën e Kamenicës.
Për infrastrukturë të objekteve për komunë- ekzistojnë objektet e ish komunës së Hogoshtit si: Objekti-ndërtesa e ish administratës së komunës, objekti i ish gjykatës komunale, objekti i Stacionit të policisë, por për të gjitha këto objekte kërkohet një renovim i vogël sa për të krijuar kushte për punë. Infrastruktura rrugore qëndron mjaft mirë: rrugët brenda fshatit janë të asfaltuara, ndriçimi publik është i kryer, ujësjellësin dhe kanalizimin Hogoshti ka kohë që i ka kryer me punë vetanake ,ndërsa rruga regjionale Hogosht – Gjilan , Hogosht – Kamenicë dhe rruga Poliçkë- Desivojcë që lidhë brezin kufitar me Serbinë janë të asfaltuara, pra mbetet që në të ardhmen e afërt të asfaltohet edhe rruga Hogosht- Lisockë e cila përsëri lidhë brezin kufitar me Serbinë.
Në fjalën e tij të rastit, Basri Musmurati, ministër i administrimit të pushtetit lokal, ka përshëndetur Iniciativën Qytetare të Hogoshtit, për angazhimin e tyre për ta bërë Hogoshtin komunë, e që premtoi që jo vetëm ai por edhe shumë intelektual të kësaj ane po bëjnë çmos që sa më parë Hogoshtin ta shpallin komunë të re.
“Prej sot e tutje do të nisim një rrugë të re që do ti prijnë njerëz të kësaj treve”, tha Musmurati duke shtuar se kjo anë vazhdimisht ka pasur njerëz që I kanë dal punës zot. Ai para hogoshtasve ka përcjellur urimet më të përzemërta të Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka premtuar se komuna e Hogoshtit do të jetë realitet dhe se ajo do të ketë zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë banorët e saj.
Ai tha se Hogoshtasit duhet ta kujtojnë amanetin e të pareve dhe atë amanet ne duhet ta qojmë deri në vend ,duke thënë se për Komunën e Hogoshtit pishtarë kanë qenë:Muharrem Fejza, Haki Efendi Sermaxhaj, Mulla Idrizi, Metush Krasniqi dhe të tjerë , duke vazhduar me heronjtë: Kadri Zeka , Isa Kastrati dhe Rexhep Malaj të cilët sot po na mungojnë.
Ai tha se në Hogosht do ta bëjnë një përmendore për Isa Kastratin dhe Rexhep Malën , do ta themelojnë një Komunë të re e për këtë kemi edhe mbështetjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës .Hashim Thaçit dhe Qeverisë së Kosovës . Ai po ashtu përmendi edhe procedurat nëpër të cilat duhet të kaloj shpallja e Komunës së Hogoshtit si dhe sfidat dhe vështirësitë.
Por , ai ka thënë se nuk ka deputet në Kosovë I cili mund të kundërshtojë Komunën e Hogoshtit me heronjtë : Kadri Zeka, Rexhep Malaj, Isa Kastratin, Taip Xhaqkun , Haki Efendiun, Metush Krasniqi , Mulla Idrizin dhe te gjithë të tjerë që kontribuuan për Hogoshtin dhe Kosovën, duke përmendur edhe Luftën e Kikës dhe te Velegllaves.
Tubimin e ka përshëndetur edhe Emin Krasniqi, zv. Ministër i Transportit, i cili ka mbështetur Iniciativën Qytetare të Hogoshtit, për ta bërë Hogoshtin komunë dhe i dëshiroi që kjo të jetësohet sa më parë.
Krasniqi tha se me Hogoshtin dhe emrin e tij mburren sot të gjitha fshatrat e rrethinës por edhe fshatrat e tjera të Kosovës , andaj sot po ja kthejmë Hogoshtit autoritetin dhe emrin qe dikur të tjerët ja rrëmbyen .
Ai po ashtu përmendi Kontributin e Hogoshtaseve siç janë: Mulla Haqifi. Mulla Raifi, Mulla Mustafa, Mulla Idrizin Haki Efendiun, Kadriun e Hysit, Shabanin e Jashes, Emin Biqkun, Sali Fejzen, Ramadan Taip Agaj, Shefki e Muharrem Fejzen, Avdullahun, Sabitin e Isa Kastratin dhe shumë të tjerë që dhanë një kontribut të madh në çështjen kombëtare.
Të pranishëm ishin edhe Izmi Zeka, zv. Ministër I Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajrush Xhemajli, ish kryetari I Ferizajt, Ismajl Kastrati, Begzad Sinani etj. /2lonline/