(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka vizituar sot qendrën Don Bosko me ç’rast është pritur nga Don Dominik Qerimi dhe stafi i tij, nga ku ka uruar stafin e kësaj qendre dhe nxënësit për fillimin e gjysmë – vjetorit të dytë, duke dëshiruar suksese dhe angazhim maksimal në mënyrë që të ketë një zhvillim dhe përgatitje maksimale të nxënësve gjatë këtij viti.
Me këtë rast Haziri ka porositur mësimdhënësit dhe nxënësit që të ngritin nivelin e përgatitjes profesionale, në lëmi të ndryshme të cilat ofrohen përmes drejtimeve dhe kurseve të ndryshme që ofron qendra.
“Kushtet që ju i keni në këtë qendër, e që janë të përsosura për nga mundësitë që japin për nxënësit e kësaj shkolle, janë të lakmueshme nga shumë nxënës të tjerë. Prandaj, ju të cilët kishit fatin që të jeni pjesë e kësaj qendre merrni maksimumin që mund të merret duke përfituar në aspektin profesional dhe praktik, sepse ajo do të jetë një bazament i fuqishëm gjatë të ardhmes në konkurrencën e tregut të punës. Mbështetja e Komunës së Gjilanit dhe e imja si kryetar, do të jetë përherë në maksimumin e asaj që ka mundësi Komuna si institucion. Uroj që të shënojmë sukseset e kësaj shkolle gjatë të ardhmes në profile të ndryshme. Gjilani ka nevojë të madhe për profesionist në lëmi të ndryshme dhe është fat i madh që kjo po ofrohet në Komunën e Gjilanit, përmes Don Boskos”, ka thënë ndër të tjerash kryetari Haziri.
Ndërsa drejtori i qendrës Don Dominik Qerimi, ka falënderuar kryetarin Haziri dhe bashkëpunëtorët e tij për përkujdesjen e treguar ndaj qendrës gjatë gjithë kohës, duke premtuar angazhim të përbashkët të mësimdhënësve dhe nxënësve për suksese gjatë të ardhmes./2L ONLINE/