Kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka theksuar se votën të cilën ia kanë besuar qytetarët e Gjilanit, do ta ruajë si të “shenjtë”. Ai shprehet i bindur se avantazhin të cilin e ka shënuar me 3 nëntor, “nuk mundet assesi t’i rrëshqasë nga duart më 1 dhjetor”.
Haziri ka theksuar se fitorja nuk do t’i rrezikohet atij, edhe pse kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh kryetar i Gjilanit, Qemal Mustafa, ka bërë marrëveshje me serbët në Gjilan, siç thotë ai, prapa shpinës së qytetarëve të Gjilanit.
“Votat e serbëve nuk mund t’i dhurojnë fitore Mustafës, i cili në Gjilan po kërkon vota me ndërmjetësues dhe me shantazhe” , tha ai për Telegrafin.
Haziri më tej ka shtuar se kandidati i PDK-së për kryetar të Gjilanit, Qemajl Mustafa, vetëm gjatë këtyre ditëve ka bërë mbi 60 projekte me kuotizimin prej 9900 eurove, gjë që është e jashtëligjshme.
Ai ka thënë se në garën për të parin nuk po garon me Qemajl Mustafën, por me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin.
“Thaçi është bërë ndërmjetësues i Mustafës tek qytetarët e Gjilanit, mirëpo as kjo nuk po iu pi ujë tek gjilanasit”, tha Haziri.
Në garën e balotazhit për të parin e Gjilanit do të hyjnë Lutfi Haziri nga LDK-ja, i cili ka siguruar 40 për qind të votave, dhe Qemajl Mustafa nga PDK-ja me 25 për qind të votave. /Telegrafi/