(2L ONLINE) – Te gjitha rrugët në Komunën e Gjilanit janë të kalueshme për qarkullimin e automjeteve duke përfshirë edhe zonat e thella malore, kështu është konstatuar gjatë vizitës në terren nga drejtori i Shërbimeve Publike, Infrastrukturës dhe Banimit, Sokol Haziri me bashkëpunëtor, ku në fshatin Kokaj kompania për mirëmbajtje dimërore po hapte rrugët nga bora.
Me këtë rast drejtori Haziri, ka thënë se si drejtori kanë arritur që për një kohë të shkurtër të bëjnë hapjen e rrugëve nga bora dhe krijimin e kushteve më të mira për qarkullim gjatë kësaj periudhe dimri.
“Rrugët janë të qarkullueshme si në qytet ashtu edhe nëpër fshatra. Në pastrim të rrugëve janë përfshirë fshatrat e zonave të thella malore, por edhe ato të brezit kufitar. Është hapur rruga për në fshatin Llovc, Kokaj, Sllubicë, deri te lagja e Zahirajve dhe lagja e Bishtajëve. I njëjti veprim është ndërmarrë edhe në malësinë e Zhegocit, duke hapur të gjitha rrugët e asaj pjese deri në kufirin me Komunën e Lipjanit. Komuna e Gjilanit është në shërbim të qytetarëve gjatë 24 orëve dhe 7 ditë në javë, për të intervenuar kudo që ka nevojë. Jemi të vendosur të jemi kujdestar të gatishmërisë për të vepruar në pjesë të ndryshme të Komunës në mënyrë që qytetarët e Gjilanit për asnjë moment të mos mbesin të bllokuar për shkak të rrugës me borë”, ka thënë drejtori Haziri.
Ndryshe, intervenimi i kësaj drejtorie do të vazhdoj. Kështu është mundësuar që të hapen rrugë në malësinë e Zhegocit, brezin kufitar, malësinë e Karadakut, dhe të gjitha rrugëve në qytet dhe fshatra. /2L ONLINE/