(2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka pritur sot përfaqësuesit e klubit të karatesë “Drita”, të shoqëruar nga karatistët e të gjitha kategorive, të cilët në kampionatin botëror në “Shotokan” u radhitën në vendin e tretë për kah numri i medaljeve të fituara.
Në këtë kampionat, të mbajtur për herë të parë në Kosovë, bilanci i suksesit të klubit “Drita” është: 28 medalje të fituara, prej tyre 12 të arta, 8 të argjenta dhe 8 të bronzta.
Kryetari Haziri i ka uruar sportistët për rezultatet e mëdha, duke thënë se suksesi i klubit të karatesë “Drita” e ka bërë krenar Gjilanin, Anamoravën dhe mbarë Kosovën.
Haziri tha se në shenjë mirënjohje do të ndahet një grant nga Komuna e Gjilanit për klubin, duke i konfirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Komunës së Gjilanit për këtë klub dhe për sportin në përgjithësi.
Ndërsa, kryetari i klubit të karatesë “Drita”, Arsim Ibrahimi, ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe për rikonfirmimin e mbështetjes për klubin, duke thënë se kjo do jetë ndihmë shumë e madhe për këtë klub, si stimulim për sukseset edhe në të ardhmen. /2lonline/