Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se kauzat që kanë ndodhë në Ballkan me disa protesta si në Mal të Zi, Serbi, por edhe në Maqedoni, e së fundi edhe në Shqipëri dhe në Kosovë kanë prapavijë të agjendës ruse për ta rritur ndikimin e saj në Ballkan.
Ai ka thënë se nuk guxojmë për të votuar kundër liberalizimit të vizave dhe, sipas tij, asnjë deputet nuk guxon pë t’ia mohuar lëvizjen e lirë fëmijëve tanë.
Sipas tij, është manipulator ai që kërkon referendum për çështje politike në këtë vend.
Haziri ka thënë se demarkacioni me Malin e Zi është çështje e bindjeve, duke shtuar se kauzat e rrejshme të opozitës të ndërtuara me interesa personale nuk çojnë më peshë në Kosovë.
Ai ka thënë se dikush po dëshiron që ta mbajë Kosovën peng me një këmbë në Evropë dhe me një këmbë në Rusi, duke shtuar se këta që po duan të bëjnë kauza të rrejshme janë të orientuar nga Moska dhe Teherani dhe si të tilla nuk flenë për LDK-në.
Derisa për koalicionin ka thënë se kanë parime programore por LDK nuk punon me kushte e me lake në fyt. Këto komente, Haziri i bëri në emisionin “Rrokum Roll” në Televizionin “Rrokum”.