/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është pritur sot në takim nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, ku është biseduar për mundësitë që ofron Programi për Zhvillim Rural dhe Programi i Pagesave Direkte.
Kryetari Haziri e njoftoi ministrin Krasniqi me politikat e kësaj komune për bujqësinë, ndërsa vlerësoi mbështetjen që MBPZHR-ja ka dhënë deri më tani për fermerët e Gjilanit.
Kryetari Haziri tha se Komuna do të japë përkrahjen e nevojshme për fermerët që investimet që bëhen në bujqësi nga grantet e ministrisë të japin sa më shumë rezultat në mirëqenien ekonomike të komunës dhe vendit në përgjithësi.
Nga ana e tij, ministri Krasniqi e njoftoi kryetarin Haziri me zhvillimet e deritanishme në bujqësi, duke theksuar se janë shënuar rezultate të rëndësishme, e që kanë ndikuar në rritjen ekonomike në vend dhe në punësim.
Ai tha se programet e sivjetshëm, ai për grante dhe ai për pagesa direkte ofrojnë më shumë mundësi për fermerët. Kjo sepse buxheti është dyfishuar dhe janë përfshirë kultura të reja bujqësore e po ashtu edhe kritere të reja lehtësuese dhe që japin rezultate. Ai përmes kryetarit Haziri ftoi fermerët nga Gjilani që të shfrytëzojnë mundësitë që ofrojnë këto programe.
Duke e ditur traditën që ka Komuna e Gjilanit me kultivimin e duhanit, dhe duke e parë rëndësinë strategjike që mund të ketë zhvillimi i këtij sektori, ministri Krasniqi dhe kryetari Haziri u pajtuan që të bëhen analiza sektoriale për këtë, për të parë mundësitë që në të ardhmen të mbështetët edhe ky sektor. /2L ONLINE/