(2L ONLINE) – Nën organizimin e Bashkësisë Islame në Gjilanit është mbajtur sot sesioni shkencor me rastin e muajit të mevludit me temën “Muhamedi a.s. hhembëlltyra më e mirë”.
Në ngjarje ka marrë pjesë kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, kryetari i BI-së në Gjilan, Sylejman Osmani, myftiu i Kosovës Naim Tërnava, deputetet Lirije Kajtazi e Labinotë Demi-Murtezi etj.
Sesionin e ka nisur kryetari i Bashkësisë Islame në Gjilanit, Sylejman Osmani, i cili falënderoi të pranishmit në këtë sesion shkencor.
“Ne në Bashkësinë Islame të Gjilanit kemi pasur një tubim për përkujtimin e Muhamedit a.s., një mevlud tradicional, mirëpo kemi menduar që të kemi edhe një formë tjetër të organizimit i cili do të jetë në shërbim të njohjes së Pejgamberit Muhamed, për personalitetin e tij nga dimensionet dhe pikëpamjet ndryshme, që ta marrim si shembull që të bëjmë punë të hajrit dhe punë të mira. Ju falënderoj shumë për pjesëmarrjen”, ka thënë kryetari i BI-së në Gjilan, Sylejman Osmani.
Një fjalë rasti pati edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili tha se
“Jam i nderuar sot të marrë pjesë në këtë sesion shkencor në këtë muaj të veçantë, që përveç lutjeve e duave që i bëjmë ne sot, edhe në një formë e shpalosim personalitetin dhe shembëlltyrën e Profetit Muhamed. Duke qenë njëri nga ata që në fëmijëri ka mësuar për profetët, dhe edhe sot mund të mësojmë për figurën, personalitetin, për shembëlltyrën e Profetit, besoj shumë se të gjithë besimtarët mysliman të Kosovës më shumë se sot që kanë nevojë të mësojnë dhe t’i marrin mesazhet e drejta, në këto zhvillime të mëdha që po ndodhin në botë, e që ne shumë lehtë mund të bëhemi target pa dashje. Figura e profetit nuk na lejon të kemi kompleks pse jemi mysliman, por është e kundërta: duhet të shpaloset në mënyrën më të mirë për t’i kuptuar vlerat e tij të mëdha. Poashtu, në emër të tolerancës fetare dua ta kujtoj sot këtu thënien e Mulla Idriz Gjilanit se “kemi tri fe, por kemi një Zot dhe një diell që na bashkon”. Nga ky sesion do të marrim njohuri edhe në shumë secili prej nesh për shembëlltyrën e profetit. Ju uroj suksese në këtë sesion shkencor”, ka thënë kryetari Haziri.
Ndërsa në fjalën e tij, myftiu i Republikës së Kosovës, Naim Tërnava, ka thënë se çdo besimtar mysliman nuk mund të ketë shembull më të mirë për jetën sesa atë të profetit Muhamed.
“S’ka pikë dyshimi se myslimani nuk mund të ketë shembull më të mirë për jetën se Muhamedin a.s., pa marrë parasysh kohën dhe vendin. Muhamedi a.s. ishe model dhe shembëlltyrë për mbarë njerëzimin ngase vet përzgjedhja e tij si profet nga ana e Zotit dhe zbritja e Kuranit ishin mëshirë për mbarë njerëzimin”, ka thënë Tërnava. /2L ONLINE/