Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se në seancën e 1 shtatorit LDK-ja do të jetë unike në votimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Ai ka thënë se shtyrja e seancës për demarkacionin nuk ka të bëjë me çështjen e numrave, por ka qenë planifikim i Kryesisë së Kuvendit.
Haziri në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ka thënë se çështjet që kanë të bëjnë me demarkacionin me Malin e Zi, me Shqipërinë dhe me Serbinë, janë tema që duhen zgjidhur së bashku me partitë opozitare.
Ai ka thënë se politikanët duhet të jenë shembull i sjelljes racionale dhe të arsyeshme karshi proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova.
“Spektri politik e ka për detyrë t’i kryejë punët e veta dhe të mos ndërtojë kauza të rrejshme që manipulojnë me ndjenjat e qytetarëve. Territoret janë të përcaktuara me Kushtetutën e vitit 1974”, ka thënë Haziri.