/2L ONLINE/ – Sipas drejtorit Sokol Haziri, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Infrastrukturës dhe Banimit në Gjilan, përgjatë një viti qeverisjeje (2014), e ka prezantuar me dinamikë shumë të madhe të punës në këtë drejtori, një efikasitet të shtuar dhe shërbime të drejtpërdrejta për qytetarët e Komunës së Gjilanit, sikur që në aspektin e shpenzimeve, siç tha ai, të kota, si dreka e darka zyrtare dhe reprezentacion kjo drejtori nuk ka shpenzuar asnjë cent, duke bërë me dije madje se, kanë qenë të kujdesshëm në shpenzime dhe se i kanë mbetur suficit 110 euro.
Haziri, me bashkëpunëtorë ka prezantuar punën një vjeçare, duke thënë se kjo drejtori është marr me shumë përgjegjësi me punët që janë në fushën e saj.
“Me përkushtim shumë të madh kemi bërë punën e cila i takon kësaj fushe të qeverisjes. Në fushën e ndriçimit publik janë instaluar mbi 83 km gjatësi të kabllos për këtë qëllim duke përfshirë fshatrat e me një gjatësi prej mbi 46 km gjatësi dhe qytetit me 36 km gjatësi, ose gjithsej në total janë vendosur mbi dy mijë poqa elektrik, dhe mbi një mijë trupa ndriçues”, tha Haziri.
Një rëndësi të madhe, poashtu, ka zënë edhe trajtimi i rrugëve të rendit të tretë duke përfshirë gjithë hapësirën e Komunës së Gjilanit në zonat rurale dhe fshatrat e thella malore, që sipas drejtorit janë rregulluar mbi 63 km gjatësi në këtë sektor.
“Gjatë një viti kemi arritur që të hapim, zgjerojmë dhe trajtojmë me zhavorr mbi 63 km gjatësi të rrugëve të rendit të tretë në të gjitha zonat rurale dhe rrugët e fshatrave të thella malore. Kështu u është mundësuar një qasje më e lehtë fshatrave që për vite të tëra kanë qenë me rrugë shumë të degraduara”, ka potencuar ai duke shtuar se kështu do të vazhdohet edhe më tutje.
Ndërsa në fushën e investimeve në ujësjellës, kanalizim dhe investime të rrugëve dhe trotuareve me kubëza betoni janë trajtuar shumë projekte dhe në planifikim të këtij viti do të ketë dinamikë edhe më të shtuar të punëve, ka paralajmëruar drejtori Haziri.
“Edhe në projektet e investimeve në ujësjellës, kanalizim dhe investim të rrugëve dhe trotuareve me kubëza betoni është bërë me një përkushtim dhe efikasitet të shtuar. Vetëm në ujësjellës është arritur që të investohen mbi një mijë metra gjatësi, në kanalizim dy mijë metra gjatësi dhe në kubëza betoni 5 mijë e 500 metra katror. Kështu në këtë drejtim janë investuar disa rrugë në qytet me kubëza betoni dhe është krijuar një qasje e mirë në varrezat e qytetit dhe krijim i hapësirës për varrezat e qytetit”, ka thënë ai.
Sokol Haziri ka potencuar se këtë vit me përkushtim të veçantë do të punohet në funksionalizimin e projekteve të lëna përgjysmë nëpër disa fshatra, por edhe në lagje të ndryshme nëpër qytet, sikurse edhe në rregullim të trotuareve do të punohet me intensitet të shtuar gjatë këtij viti.
Poashtu mirëmbajtja verore dhe dimërore është bërë sipas planit të drejtorisë, ka thënë ai.
Drejtori i DSHPIB, Sokol Haziri ka bërë të ditur se sinjalizimi vertikal dhe horizontal është bërë me një përkushtim, duke bërë të mundur sinjalizimin e të gjitha rrugëve të cilat janë në përgjegjësinë e kësaj drejtorie.
Ndërsa, siç ka thënë ai, sfidë ende mbetet transporti ilegal, por falë bartjes së inspeksionit të komunikacionit në kuadër të kësaj drejtorie, kjo fushë do të vuhet nën kontroll dhe kjo është duke u monitoruar për çdo ditë nga inspektorët e kësaj fushe, për të vendosur një rend dhe rregull në kuadër të zbatimit të ligjit.
Haziri ka thënë se mision dhe mandat yni është shërbimi i përhershëm për qytetarë, që është njëri ndër elementet e kësaj qeverisje me në krye kryetarin Haziri. /2L ONLINE/