(2L ONLINE) – Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ëshhtë mbajtur sot akademia përkujtimore në nëntë vjetorin e vdekjes së presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
Në këtë ngjarje ka marrë pjesë kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi, ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, deputetë, përfaqësues nga institucionet e shtetit, shkrimtari Ibrahim Kadriu etj.
Në fjalën e tij, kryetari Haziri tha se sot në Gjilan bëjmë nderimin e madh të figurës së presidentit të Republikës, i cili njihet edhe si themelues i shtetit të pavarur të Kosovës.
”Sot në Gjilan bëjmë nderimin e madh të figurës së presidentit të Republikës, i cili njihet edhe si themelues i shtetit të pavarur të Kosovës, themelues i lëvizjes më të madhe nacional-demokrate në fund të viteve të 80-ta, lider i shqiptarëve të ish-Jugosllavisë e më vonë edhe president i zgjedhur derisa u nda nga jeta. I pamposhtur, u pa humbur asnjëherë asnjë betejë”, tha Haziri, duke shtuar Ne kemi qenë veprimtarë qe e kemi zbatuar politika dhe pjesë të vizionit të Ibrahim Rugovës sepse figura e tij, vizioni i tij, madhështia e tij nuk ka lënë shumë hapësirë as të mendosh shumë e as të debatosh shumë sepse ai ka qenë një hap të madh para çdokujt jo vetëm në Kosovë.
“Unë kam pasur të punoj me presidentin Rugova si i ri, por dua ta them edhe një fakt se gabojnë të gjithë ata që thonë se kam qenë koleg i Ibrahim Rugovës. Ne kemi qenë veprimtarë qe e kemi zbatuar politika dhe pjesë të vizionit të Ibrahim Rugovës sepse figura e tij, vizioni i tij, madhështia e tij nuk ka lënë shumë hapësirë as të mendosh shumë e as të debatosh shumë sepse ai ka qenë një hap të madh para çdokujt jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë. Ajo që dallon Ibrahim Rugovën nga politikanët në Kosovë, regjion e Europë është se ai ka qenë me vizion dhe me përkushtim një hap para të gjithëve. Ai ka bërë procese dhe nuk ka pritur procese. Ai ka bërë procesin dhe i ka detyruar të tjerët të merren me proces. Ai ka iniciuar procese, ai ka shkaktuar procese, ai ka realizuar ëndrra, që për gjenerata të tëra të gjithë ne që jemi të gjallë sot dhe për të gjithë ata që u sakrifikuan në emër të kësaj ëndrre për lirinë e shqiptarëve kudo që janë, ka qenë njeriu që e ka trasuar rrugën ka dhënë guxim ka dhënë zemër dhe unë jam njëri prej atij grupi të madh në Gjilan, e që jeni të gjithë ju këtu, mund ta ndajnë të njëjtën dhimbje dhe të njëjtin shqetësim për të”, është shprehur kryetari Haziri.
Por, pse ai ka qenë ndryshe nga të tjerët sipas kryetarit Lutfi Haziri?
“Kur të tjerët zgjodhën për president gjeneral të pensionuar, nacionalist të regjur e të dënuar, në figura thirrnin ne ermër të nacionalizmave të kohës së vet, ai u zgjodh si shkrimtar. Në krye të popullit të tij erdhi si njeri i letrave, si shkrimtar, si akademik e intelektual dhe kur të tjerët bënin thirrje për luftë, ai bënte thirrje për paqe. Kur të tjerët bënin thirrje për ndarje, ai bënte thirrje për bashkim. Kur të tjerët bënin thirrje për urrejtje, ai bënte thirrje për dashuri. Fillimisht nuk u kuptua drejt, por koha po e dëshmon se lufta e armatosur ka qenë mjet i politikës paqësore, por mjet i fundit të cilin ka dashur ta shfrytëzoj në Kosovë për t’i realizuar qëllimet politike dhe idealet që qytetarët e Kosovës i kanë pasur”, ka shtuar ai.
Çka do të thoshte ai sot në Gjilan, sipas Hazirit?
“Nuk besoj se do të thoshte më shumë se ‘gjilanas ndihuni krenarë me Mulla Idriz Gjilanin, sepse sot e 70 vite më herët ai u bë kryengritësi më i madh, ai u bë inspiruesi më i madh, ai u bë shpresa e shqiptarëve. Ai e çoi kushtrimin e madh dhe i ftoi shqiptarët të mos dorëzohen dhe të luftojnë deri në fund për Zot e Atdhe’. Ai do të thoshte që Esat Berisha e Halim Orana kanë qenë intelektual të mëdhenj të kohës, që Gjilani duhet të krenohet dhe që regjimi i atëhershëm i pasluftës i mori sepse nuk donte të ketë lider, udhëheqës e intelektual në mesin e shqiptarëve. Ai do të thoshte bëhuni krenarë me Idriz Seferin sepse e ka lënë amanet kushtrimin e Kosovës, e ka liruar kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës, ka bërë thirrje dhe ka qenë kryengritës i madh i Pavarësisë së Shqipërisë. Dhe, natyrisht, ai do ta përkujtonte 70-vjetorin e kryengritjes së madhe të masakrës së madhe në Gjilan sepse jo rastësisht, edhe propozimi i tij për himn të Kosovës është marrë luftëtarët e Idriz Seferit e Mulla Idriz Gjilanit. Është marrë si kushtrim me besim në Zot e familje që shqiptarët kanë luftuar pa u ndalur deri në realizimin aspiratave të tyre. Ai sot do t’i gëzohej demokracisë ën Gjilan, zhvillimeve në Gjilan dhe Kosovë dhe do të bënte thirrje që punojmë më shumë, që të sillemi me urtësi, që të vendosim drejtësi, paqe dhe respekt për njëri-tjetrin”.
“Ai na mungon sot, por me vet faktin se unë po e parafrazoj atë që ka mundur ta thotë sot, ideali i tij fjala e tij, amaneti i tij, vizioni i tij po jeton me ne këtu, të gjithë shqiptarët e Gjilanit, Anamoravës dhe të gjithë Kosovën. Rugova nuk do të harrohet kurrë për veprën e madhe, për hapin e tij të madh, për dallimin e madh që e pat me të tjerët dhe përmes këtij dallimi të madh, arriti që neve kolektivisht të na shpëtoj. Me pasoja të mëdha PO, por edhe ai ka qenë njëri nga ata që ka pësuar shumë sikurse shumë familje në Gjilan. Qindra mijëra familje janë rritur pa gjysh e pa baba, sikurse që ka qenë edhe ai vet si pasojë e ndëshkimeve të asaj kohe. Këta qirinj dhe kjo natë e qirave janë shënojnë vlerësimin tonë dhe janë lutje për çdo shpirt i cili ka vdekur në emër të lirisë së shqiptarëve, ne emër të Zotit e atdheut për këtë vend që ne sot të gjallët të jetojmë pak më mirë se që kemi jetuar më herët. Shpirti i tyre bënë dritë dhe lutemi që Zoti të çoj mëshirë, mbështetje, kurajo e përkushtim që të punojmë më shumë, më mirë dhe më drejt”, ka përfunduar kryetari Haziri në këtë akademi.
Për figurën e presidentit Rugova në këtë Akademi ka folur edhe bashkëpunëtori i tij, i cili e ka njohur përmes letrave, shkrimtari gjilanas Ibrahim Kadriu.
“Për të folur për Rugovën do të duhej një përgatitje më solide sepse ai ka qenë solid, ishte një njeri për të cilin duhet të mendohet shumë gjatë për ta thënë të vërtetën për të. Ai ishte njeri i madh. Unë kujtoj që edhe pas nëntë vjetësh do të kujtohet edhe më shumë se sot që është përkujtuar dhe që i kanë dalë vlerat e veprës së tij. Koha do të tregoj se vizioni i tij i realizuar deri në këtë mas, ka qenë një ndër format më të spikatura që nuk ka arritur ta bëjë deri sot në historinë e shqiptarëve. Ibrahim Rugova ishte njeri i mendimit, njeri i qetë, i miqësisë, por shumë vonë e kemi kuptuar që merret edhe me politikë. Politikën e ka bërë në mënyrën më të mrekullueshme me mirësi, me një logjikë të cilën nuk kishin pararendësit e tij”, ka thënë shkrimtari Ibrahim Kadriu.
Ndryshe, nesër në ora 12:00, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit z. Lutfi Haziri dhe kuadër të manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2015” mbahet Akademi përkujtimore kushtuar 70-vjetorit të masakrës së Gjilanit, ku do të jepen dekoratat e presidentit Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani për heronjtë e Gjilanit: Mulla Idriz Gjilani, Esat Berisha, Halim Orana, Hetem Haziri, Rifat Baftjari dhe Ymer Myqybaba. Akademia mbahet në sallën e Teatrit të qytetit. /2L ONLINE/