/2L ONLINE/ – Derisa Lëvizja Vetëvendosje e Gjilanit, përmes një performace të saj të realizuar para ish ndërtesës së ekzekutivit, ku aktualisht janë të vendosura disa drejtori të komunës dhe zyre tjera, ka atakuar qeverisjen komunale për mos transparencë / shih shkrimin: Vetëvendosje me ekspozitë të kërkesave kritikon komunën për mos transparencë /, menjëherë në anën tjetër, ku ndodhet selia e kryetarit, ka dalë deklarata e të parit të komunës Lutfi Haziri, se është i lumtur për atë se Gjilani, kohë më parë nga nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ishte shpallur si njëra ndër komunat më transparente.
Kryetari i Komunës së Gjilanit është shprehur i lumtur që Gjilani është shpallur komuna më transparente, duke premtuar se do të avancohet edhe më shumë kjo çështje që është kruciale për demokracinë.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që jemi shpallur komuna më transparente, jemi shpallë komuna që ka proceduar me çmim më të lirë në të gjitha kategoritë në procedurat e prokurimit dhe kemi marrë disa nga shpërblimet apo fjalë të mira nga të tjerët. Ne kemi lëvizur pak në drejtim të përmirësimit, sepse edhe më tutje kemi punë për të servisuar borxhe. Jemi komunë e cila do të zbatoj rekomandime të auditorit të brendshëm dhe të përgjithshëm, për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët”, tha Haziri, duke përmendur se regjioni i Gjilanit po i merr këmbët nga depresioni ekonomik dhe abuzimi që ka pas 6 vitet e kaluara.
“Shifrat na inkurajojnë të punojmë, sikur që na inkurajon besimi që institucionet e pavarura të drejtësisë prokuroria, policia dhe gjykata, në Gjilan kanë krijuar besim te qytetarët dhe jemi Komuna që në kuptimin e sigurisë, për 20 muajt e fundit nuk e kemi pasur asnjë vrasje të dhunshme, humbje jete nga incidentet, apo ndonjë konflikt. Jemi regjioni më i qetë në kuptimin e sigurisë dhe jemi regjioni i cili po i merr këmbët nga depresioni ekonomik dhe abuzimi që ka pas 6 vitet e kaluara”, shtoi ai. /2L ONLINE/