(2L ONLINE) – Në Gjilan sot është bërë prezantimi i EMPOWER Sektori Privat nga USAIDI Amerikan për deklaratën vjetore të programit e që qëllimi është të kërkoj shprehje të interesimit në formë të koncept dokumenteve për financim të ideve inovative për të avancuar objektivat e zhvillimit ekonomik të projektit EMPOWER, në të cilin prezantim ishte edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me bashkëpunëtor dhe një numër shumë i madh i të interesuarve për këtë program.
Me këtë rast kryetari, Lutfi Haziri në këtë takim tha se Komuna e Gjilanit ka partner të fuqishëm USAID-in Amerikan, kjo dëshmohet për shumë projekte të realizuara në Gjilan, ndërsa tani jemi së bashku në tri programe të përbashkëta nga të cilat do të përfitojnë qytetarët tanë.
“E veçantë e këtij programi është që ka të bëjë me ndarje të granteve për mbështetje me qëllim të zhvillimit të qëndrueshëm. Mbështetje të individëve, grupeve, të familjeve, të bizneseve që kanë kreativitet dhe që kanë qëndrueshmëri. Ky është një rast shumë i mirë për të gjithë juve që ta shfrytëzoni këtë rast, duke kërkuar ndihmën edhe të zyrave në USAID por edhe zyrave tona në Komunën e Gjilanit, që të jeni konkurrues gjatë aplikimit. Ne do të jemi jashtëzakonisht të lumtur që ky program t’ju prek të gjithë juve sepse do të ndikoj në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe qëllim të mbështetjes së bizneseve”, tha kryetari Haziri duke uruar që në Gjilan të kemi lajme të mira në këtë drejtim.
Ndërsa, David King, drejtor i programit EPMPOWER sektori privat, ka thënë se prezenca dhe mbështetja që i jep kryetari Haziri këtij aktiviteti, tregon për përkushtimin e tij që të ketë sa më shumë rezultat nga ky program në thithjen e donacioneve për Gjilanin.
“Projekti ynë është shumë i thjeshtë për t’u përshkruar. Çdo gjë ka të bëjë me krijimin e vendeve të reja të punës. Është vetëm një vend prej kah krijohen vendet e reja të punës dhe ai është fuqizimi i kompanive – bizneseve. Kompanitë të cilat shesin produktet nëpër tregje. Ne sot duam të dëgjojmë për mundësitë të cilat ju i shihni dhe atë çka ne mund të ofrojmë për juve, apo edhe se si mund që ne t’u ndihmojmë juve për të gjetur mundësi të tjera për të bërë biznes”, ka thënë ai duke inkurajuar aplikimin me qëllim të qartë të zhvillimit.
Ndërsa Visar Kelmendi, ka bërë prezantimin e programit EMPOWER, ka informuar të pranishmit gjatë prezantimit se pikësynim kryesor është përmirësimi i performancës së bizneseve, krijimin e vendeve të punës dhe rritja e punësimit të fuqisë punëtore të Kosovës. Ai tha poashtu se projekti synon të ofroj grante për të financuar kërkesa që i përmbushin kushtet e kërkuara. Shumat e ofruara sipas këtij programi priten të jenë prej 5 mijë deri në 75 mijë euro për veprimtari zbatimi i aktiviteteve të të cilave do të përfundoj deri më 31 maj të vitit 2016.
Ndryshe, të drejtë aplikimi kanë përfaqësuesve të bizneseve, OJQ-ve, institucionet arsimore, dhe të gjitha subjektet e regjistruara ligjërisht në Kosovë. Ndërsa sektorët që mbështeten nga projekti EMPOWER Sektori Privat janë: prodhimet e drurit, mallrat prej tekstilit, por edhe sektorët tjerë që merren parasysh për t’u mbështetur si energjia, turizmi, Teknologjia Informative dhe Komunikimi dhe produktet e metalit.
Interesimi i përfaqësuesve të ndryshëm të bizneseve, OJQ-ve, shoqatave dhe institucioneve tjera ishte shumë i madh./2L ONLINE/