(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në takim përfaqësuesit e USAID-it në Kosovë, zonjën Sara Buchanan – drejtoreshë e Zyrës për Demokratizim dhe Qeverisje të USAID Kosovë si dhe z. Jeton Cana – Specialist për Qeverisje Lokale.
Në takim është diskutuar lidhur me partneritetin e mundshëm të drejtpërdrejt me institucionet e qeverisë lokale për zbatim të projekteve, përmes këtij partneriteti USAID-i do të financonte në mënyrë të drejtpërdrejt projekte të identifikuara, deri sa Komuna do të menaxhojë tërë procesin e implementimit të projektit/grantit.
Kreu i Komunës, Lutfi Haziri ka falënderuar përfaqësuesit e USAID-it për këtë nismë, e cila njëherit siguron se në komunat e Kosovës ka avancime në aspektin e qeverisjes dhe menaxhimit në ofrimin e shërbimeve për qytetarët e saj, deri sa në anën tjetër përmes kësaj iniciative dhe realizimit të projekteve të tilla, komunat edhe më tej do t’i ngrisin kapacitetet e tyre në menaxhim të projekteve.
Kryetari Haziri u zotua se nëse Komuna e Gjilanit do të jetë pjesë e kësaj iniciative të USAID-it, ai personalisht do të angazhohet maksimalisht që projekti të menaxhohet dhe implementohet brenda afateve të planifikuara dhe me kualitet të lartë në të gjitha fazat e menaxhimit të tij.
Komuna e Gjilanit për 16 vite USAID-in e ka pasur një partner shumë të rëndësishëm si në realizim të shumë projekteve të fushave të ndryshme ashtu edhe në ngritje të kapaciteteve në qeverisje lokale i cili partneritet është duke vazhduar edhe më tej./2L ONLINE/