(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjlanit Lutfi Haziri, i shoqëruar nga drejtori për Zhvillim Ekonomik, Ismail Januzi, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e kompanisë konsulente austriake “Ostap”, Christoph Gierlinger, M.M. Moskaljov dhe zonjën Altene Krasniqi.
Qëllimi i vizitës së përfaqësuesve të kompanisë “Ostap” ishte për të dhënë ndihmesën dhe për t’i përshpejtuar procedurat dhe projektet infrastrukturore, pasi Komuna e Gjilanit ka aplikuar në Ministrinë e Financave të Austrisë lidhur me programin Soft Loan Projekt Preporatory për kredi të butë.
Kryetari Haziri tha me këtë rast se Komuna e Gjilanit ka aplikuar për ndihmesë në projektin e rregullimit të lumit “Stanishorka”, zëvëndësimin e kanalizimeve ekzistuese në Gjilan, kolektorin e kanalizimeve për pellgjet e Velekincës dhe Livoçit etj., e që të gjitha së bashku kapin vlerën e mbi 7 milionë eurosh.
Ndërsa, drejtori për Zhvillim Ekonomik Ismail Januzi tha se përveç këtyre projekteve, kjo drejtori është duke punuar me donatorët për ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza, që do të ishte një zgjidhje afatgjate.
Ndryshe, Ministria e Financave e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Financave të Austrisë pati nënshkruar një marrëveshje gjatë vitit 2012 për mbështetje për kredi të butë dhe afatgjate në vlerë prej 20 milionë eurosh. /2L ONLINE/