/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i shoqëruar nga drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe kreu i Komisionit të Aksionarëve në “Eco-Higjienë”, kanë mbajtur konferencë për media, lidhur me angazhimin dhe punën që Komuna e Gjilanit ka bërë në tejkalimin e problemeve mes menaxhmentit dhe punëtorëve në këtë kompani.
Haziri theksoi se po e presim normalizimin e plotë të ndërmarrjes, duke shtuar se “nuk kanë të drejtë më as punëtorët më shumë se një orë në ditë të bëjnë grevë, sepse janë shterur të gjitha mundësitë ligjore”.
“Eco-Higjiena” nuk është as private që e lejon menaxhmentin të veproj krye në veti, e as publike që punëtorët të mund të vendosin, por publiko-private dhe duhet të ketë respekt të ndërsjelltë. Ne vazhdojmë të mbrojmë të drejtat e punëtorëve dhe kërkojmë nga partneri privat ta përmbushë planin investiv”, ka shtuar Haziri.
Angazhimi më i madh sipas kryetarit Haziri, që para vitit të ri, por edhe gjatë kësaj pjese të muajit janar, është bërë për të arritur një zgjidhje në mënyrë që gjendja e tanishme të tejkalohet dhe të kthehet normaliteti në funksionimin e ndërmarrjes sipas kontratës së Partneritetit Publiko-Privat.
“Ne jemi përfshirë në këtë problem vetëm si lehtësues me qëllim që menaxhmenti dhe punëtorët të komunikojnë dhe ky relacion të shihet edhe me punë. Gjendja e ndërmarrjes për vitin 2016 është me bilanc pozitiv sa i përket të hyrave.
Edhe sa i përket grumbullimit të mjeteve nga borxhet, poashtu trendet janë pozitive. Ndërsa, në aspektin e investimeve kemi ngecje, sepse nuk kemi deri më tani asnjë lloj investimi të realizuar”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai, ka thënë se dy përfaqësues të Komunës janë në rolin e komisionit të aksionerëve, dhe tre përfaqësues janë në bordin e drejtorëve, dhe të gjithë bashkërisht jemi angazhuar që të tejkalojmë çdo problem apo sfidë në këtë ndërmarrje.
“Jemi në mbështetje të ndërmarrjes dhe jemi edhe mbështetës të punëtorëve, por nuk do të thotë që i mbështesim të papunët. Komuna e Gjilanit, si partner publik, nuk e lejon që menaxhmenti në mënyrë të njëanshme dhe pa vlerësime të bëjë shkarkim të punëtorëve dhe zëvendësimin e tyre brenda natës. Pra jemi partner që nuk lejojmë të thehet ligji i punës, ai i PPP-së dhe ligjet e Republikës së Kosovës në përgjithësi”, ka thënë krytari Haziri.
Kryetari Haziri, poashtu, ka kërkuar nga menaxhmenti i “Eco-Higjienës” që ta rexpektoj marrëveshjen e 20 nëntorit 2016.
“Duhet të zgjidhet drejtori sipas konkursit publik, pas tash e dy vite kjo kompani funksionon me ushtrues detyre. Ligji nuk e përjashton askënd. Gjithashtu, kërkojmë që punëtorët të trajtohen sipas ligjit të punës dhe atyre t’u jepen kontratat e punës, e më pas matja e tyre mund të bëhet nga performanca dhe angazhimet konkrete në realizimin e objektivave”, tha ai, duke pohuar që deri atëherë, askush nuk ka të drejtë më shumë se që kanë punëtorët sot.
I pari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se kjo ndërmarrje tashmë është nën hetime me vendim të prokurorit të shtetit, sikurse një numër i zyrtarëve, ndërkaq tha se Gjilanit është ftuar në cilësinë e dëshmitarit.
“Jemi duke këmbëngulur që partneriteti të ruhet në këtë ndërmarrje dhe presioni i Komunës është zero në këtë drejtim, përkundër angazhimit tonë lehtësues në këto momente që të bëhet një zgjidhje e qëndrueshme në këtë së ndërmarrje”, ka përfunduar kryetari Haziri, i cili ka thënë se asgjë nuk është vazhdim i pafund, në rast se kontrata dhe marrëveshja e PPP-së nuk zbatohet. /2L ONLINE/