/2L ONLINE/ – Siç dihet tani më, më 3 gusht, do të mbahet debati për marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi, e lidhur me këtë, Bajram Hasani, anëtar i kryesisë së Nisma për Kosovën, njëherësh kryetar i Degës së këtij subjekti në Gjilan, ka thënë se ndonëse është debat i vonuar megjithatë shpreson se mund të shërbejë që deputetët e pozitës të reflektojnë se versioni aktual i caktimit të vijës kufitare me Malin e Zi, është i dëmshëm për Kosovën.
Hasani po ashtu shpreh brengën e tij se drejtuesit e shtetit do të tentojnë të keqpërdorin këtë debat për marketing politik, sa për tu hedhur hi syve qytetarëve se kinse po debatojnë për demarkacionin ose tendencë për ta arsyetuar marrëveshjen e dëmshme që e kanë nënshkruar për demarkacionin. Megjithatë ai shprehet i bindur se demarkacioni, version i tanishëm. nuk do të kalojë
“E kam thënë edhe më herët që debati profesional-shkencor për demarkacionin, i cili do të mbahet me 3 gusht në Kuvendin e Kosovës, është shumë i vonuar. Sidoqoftë shpresoj që ky debat të shërbej për t’i bindur deputetët e koalicionit qeverisës, sidomos ata që kanë dilema, se versioni aktual i caktimit të vijës kufitare me Malin e Zi, është gabim dhe i dëmshëm për Kosovën, meqë Kosova humb mijëra hektarë tokë. Por, kam friken se edhe ky debat do të përdoret nga drejtuesit e shtetit për marketing politik, sa për tu hedhur hi syve qytetarëve se kinse po debatojnë për demarkacionin ose tendencë për ta arsyetuar marrëveshjen e dëmshme që e kanë nënshkruar për demarkacionin”, ka thënë Hasani për Portalin 2LONLINE.
Ai shtoi se deputetët e pozitës duhet ta dinë se mandati i tyre është për t`i mbrojtur interesat e qytetarë që i kanë votuar dhe jo interesat e një qeverie jolegjitime dhe të partive të tyre.
“Interesi nacional duhet të vihet mbi çdo interes tjetër. I inkurajoj këta deputet, që t`i dëgjojnë mirë argumentet e ekspertëve të pavarur në ketë debat, të cilat thonë se kjo marrëveshje është e dëmshme për Kosovën dhe duhet rishikuar nga fillimi”, ka thënë Bajram Hasani i NIMSA-s. /2L ONLINE/