(2L ONLINE) – Në komunën e Gjilanit sot është bërë hapja e zyrës së këshilltarit komunal për bujqësi, e cila qëllim ka përkrahjen e fermerëve në aspektin teorik dhe praktik përmes trajnimeve të ndryshme, por edhe përmes punës së përbashkët praktike në sektorët e ndryshëm të fermerëve Gjilanas.
Të pranishëm në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm për bujqit gjilanas, ishin kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Valentina Bunjaku – Rexhepi, drejtori i departamenteve të shërbimeve këshillimore, në Ministrinë e Bujqësisë, Hysni Thaçi, udhëheqësi i projektit të BE-së John Mc Cormack, drejtori i Bujqësisë Ramiz Ramadani dhe fermerë të shumtë.
Me këtë rast kryesuesja Bunjaku – Rexhepi, ka thënë se gjatë qeverisjes së kryetarit Haziri, bujqësia është me një prioritet të veçantë dhe hapja e kësaj zyre është një element pozitiv dhe derë e hapur për fermerët. Nga këtu mund të marrin këshilla dhe të jenë në hap me thithjen e granteve dhe subvencioneve të ndryshme që ndahen qoftë nga institucionet vendore apo edhe ndërkombëtare.
“Falënderojmë BE-në dhe udhëheqësin e këtij projekti në Kosovë, për këtë hap shumë të rëndësishëm që ka marrë në aspektin e këshillimit profesional të fermerëve. Sfidat në bujqësi janë të shumta, por këshillat profesionale tashmë do të jenë adresë e qartë e bujqve se ku mund të orientohen për çdo hall që kanë”, ka thënë kryesuesja Bunjaku – Rexhepi.
Ndërsa drejtori i bujqësisë, Ramiz Ramadani, ka thënë se qendra informative për këshilla në bujqësi, është vazhdimësi e këshillave që janë dhënë për kohë të gjatë në këtë drejtori.
“Drejtoria e Bujqësisë në Gjilan në vazhdimësi ka dhënë këshilla për fermerët gjilanas në forma të ndryshëm dhe në mënyrë permanente, nga ku numri i atyre që kanë marrë këshilla profesionale kalon mbi 400 sosh. Synimi ynë është rritja e prodhimtarisë në fusha të ndryshme të bujqësisë, ngritjen dhe zgjerimin e fermave, futjen e inovacioneve dhe të arriturave shkencore. Përmes kësaj zyre tash e tutje fermerët do të përkrahen për aplikime në subvencione, në grante të ministrisë së Bujqësisë dhe në programe të BE-së. Nga kjo zyre do të shpërndahen edhe materiale të ndryshme vetëdijësuese, si broshura të ndryshme, postera, njoftime për organizimin e trajnimeve dhe vizita nëpër fermerë. Hapja e kësaj qendre në Gjilan paraqet fillimin e reformimit të shërbimeve këshillues publike për fermerët tanë”, ka thënë Ramadani, duke precizuar se në këtë zyre do të jetë Medin Zeqiri dhe Ejup Byqmeti të cilët janë zyrtar me shumë përvojë profesionale në këtë drejtori.
Drejtori i Departamentit për Shërbime Këshillimore Teknike në MBPZHR, Hysni Thaçi, ka folur për rolin dhe rëndësinë e këtyre qendrave informative.
“Kjo është një ditë e shënuar për fermerët e Komunës së Gjilanit. Këtë po e bëjmë bashkë me ekspertët ndërkombëtar. Kemi disa projekte që përkrahemi nga BE, Banka Botërore (përmes kredive të volitshme, trajnimeve të ndryshme, trajnimeve për të gjithë fermerët e interesuar për aplikuesit potencial për grante), poashtu nga Qeveria e Kosovës, me trajnimin për Zhvillimin e Zonave Rurale, ku mund të trajnohet fermerët e të gjitha sektorëve. Element shumë pozitiv është mbështetja edhe nga niveli lokal por edhe nga ai qendror me rritjen e granteve për bujqësinë”, ka thënë Thaçi.
Ndërsa, përfaqësuesi i projektit të BE-së John Mc Cormack, tha se qendra informative komunale për bujqësi, është një urë lidhëse në mes të fermerit dhe institucionit.
“Kjo që po ndodh sot në Gjilan është urë lidhëse mes fermerit dhe këshilltarit për bujqësi. Ky projekt parasheh ngritjen e kapaciteteve për vetë këshilltarët pastaj edhe për të gjithë fermerët e interesuar në forma të ndryshme, përmes trajnimeve, vizitave studimore, shkëmbimit të përvojave etj.
Ndryshe, zyra e cila solemnisht është hapur për këshilltarin komunal për bujqësi, gjendet në objektin ku sot është Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë në Gjilan. /2L ONLINE/