Gjilan – (22LONLINE) – Në Gjilan është hapur Panairi i dyzetenjë i Librit, i cili do të qëndrojë i hapur për disa ditë e ku do të ekspozohen botimet më të reja të Shtëpive Botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Lugina e Preshevës.
Në hapje të kësaj ngjarje të rëndësishme kulturore , Apostol Duko, në emër të botuesve ka thënë se në Gjilan vijnë me kënaqësi sepse këtu e prekin historinë dhe ka kujtime të mira. Ai ka siguruar lexuesit në këtë panair se kanë sjellë librat më të ri të viteve të fundit të autorëve të ndryshme dhe pret që lexuesi të mbetet i kënaqur.
Përndryshe, zyrtarisht Panairin e shpalli të hapur Veton Nevzadi, drejtor i Drejtorisë për Rini, Kulturë e Sport (DRKS), i cili tha se kjo ngjarje shënon festë të librit në Gjilan dhe me vet faktin që po organizohet për të 41-tën herë me radhë meriton të vlerësohet e nderohet. Ai ka bërë të ditur se përveç që lexuesi mund të gjej botime të reja, në këtë panair do të ketë edhe ngjarje të tjera kulturore si promovime të librave.
Në këtë kontekst u bë e ditur se sot do të bëhet promovimi i librit “Martirët shqiptarë gjatë viteve 1846-1848”, të autorit Gjergj Gjergji – Gashi. E ku di të referojnë Isak Ahmeti, Nuhi Ismajli e Sarë Gjergji.
Përndryshe edhe ditëve tjera do të ketë promovime tjera. /2lonline/