(2L ONLINE) – Komuna e Gjilanit e ka nderuar sot me mirënjohje përfaqësuesen e programit të GIZ-it, Dr. Dagmar Fucsh për kontributin që ka dhënë dhe po jep për ngritjen e kapaciteteve në fushën e arsimit për mësimdhënie, menaxhim e komunikim.
Në ceremoninë e dhënies së mirënjohjes ishte i pranishëm kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazmi Musa, drejtor shkollash e mësimdhënës të komunës së Gjilanit.
Kryetari Haziri ka vlerësuar kontributin e madh të zonjës Fucsh, duke shprehur mirënjohjen e madhe të Gjilanit dhe të qytetarëve të saj për ngritjen e kapaciteteve në fushën e arsimit, që është një nga shtyllat kryesore të funksionimit të shtetit.
Haziri ka ripërsëritur se sektori i arsimit është prioriteti i parë i qeverisjes së tij vetëm e vetëm që të krijojnë një sistem modern dhe të qëndrueshëm të edukimit sa më të mirë të gjeneratave të reja.
Drejtori Nazmi Musa tha se arsimi në Komunën e Gjilanit ka përfituar donacione në vlerë prej mbi 150 mijë euro për projekte të ndryshme si: trajnime, vizita studimore në Gjermani, Slloveni, inventar për shkolla, tabela lëvizëse e ngjyra për përmirësim të mësonjëtoreve për nxënës.
Nga ana e saj, përfaqësuesja e programit të GIZ, Dr. Dagmar Fucsh ka falënderuar kryetarin Haziri dhe drejtorin Musa për mirënjohjen, duke konfirmuar se ndihmesën edhe në të ardhmen për sektorin e arsimit, që është një nga shtyllat kryesore të funksionimit të shtetit./2L ONLINE/