(2L ONLINE) – Komuna e Gjilanit përveç vlerësimit pozitiv për shumë aspekte, kësaj radhe është vlerësuar tejet lartë edhe sa i përket planit të veprimit komunal për marrëveshjen e e Asocim-Stabilizimit, thonë zyrtarë për integrime evropiane të komunës së Gjilanit.
Sipas tyre, ditë më parë, një vlerësim i lartë lidhur me këtë çështje ka ardhur nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila e vlerëson pozitivisht në fushën e transparencës lokale, harmonizimin e rregulloreve komunale me legjislacionin e ri, pastaj për funksionalizimin e qendrës “One Stop Shop”, për zhvillimin ekonomik lokal etj.
Zyrtari për Integrime Evropiane, Burim Elezi, e ka mirëpritur këtë raport të MAPL, derisa tha se krahasuar me komunat tjera, Gjilani qëndron bindshëm në nivel më të lartë.
“Raporti vlerëson se Komuna e Gjilanit ka marrë parasysh prioritetet e integrimit evropian në hartimin e politikave dhe planifikimit buxhetor komunal si dhe ka përfshirë në buxhetin komunal për vitin 2014 kërkesën për realizimin e aktiviteteve në fushën e integrimeve evropiane. Ne jemi të kënaqur si Komunë me vlerësimin në përgjithësi dhe do të punojmë me të gjitha kapacitetet tona komunale që t’i përmbushim edhe tri rekomandimet tjera”, ka thënë Elezi.
Ai ka përmendur edhe një vlerësim tjetër të MAPL-së, atë të arsimit, ku Komuna ka siguruar qasjen e të gjitha komuniteteve në arsim dhe organizimin e mësimit plotësues për personat e riatdhesuar, derisa sipas tij, Gjilani ka marrë vlerësim edhe në atë që Komuna posedon formatin sipas standardeve evropiane në përmirësimin e të dhënave statistikore mbi shëndetin.
Përndryshe, Komuna e Gjilanit muaj më parë është vlerësuar si Komuna e dytë në nivel vendi për transparencë, ndërsa OSBE e ka shpallur Komunë model sa i përket qasjes në dokumente publike./2L ONLINE/