/2L ONLINE/ – Pas dhjetëra aktiviteteve të organizuara në kuadër të Muajit të Mërgimtarëve, mbrëmë në Gjilan është mbajtur aktiviteti sportiv gjimnastikë-akrobacione, të organizuar nga Njësia për Sport dhe nën përkujdesjen e kryetarit Lutfi Haziri.
Ngjarjen e ka shpallur të hapur udhëheqësi i Njësisë për Sport, Malazog Hoxha, i cili ka thënë se ky aktivitet po mbahet për herë të parë në Gjilan në nderim të mërgimtarëve.
“Jam i nderuar që sot po ju drejtohem veçanërisht juve mërgimtarëve të cilët dhatë shumë për këtë vendin tonë. Aktiviteti i gjimnastikës dhe akrobacionit po realizohet për herë të parë në Gjilan dhe jam shumë i lumtur për këtë. Shpresoj do të kaloni mirë dhe do të kënaqeni me performancën e sotme të profesionistëve të kësaj lëmie”, ka thënë Hoxha.
Aktivitetet në Muajin e Mërgimtarëve kaën filluar me shfaqjen e filmave për fëmijë dhe të rritur për tri netë me radhë, pastaj gala koncerti rock & popullore, panairi i produkteve vendore, street ball, performanca e artit bashkëkohor dhe turizmit rural, aktiviteti i volejbollit, premiera e shfaqjes “Vdekja aksidentale e një anarkisti”, debati me temën “Sfidat e të rinjve në Kosovë dhe në Mërgatë” dhe aktiviteti sportiv gjimnastikë-akrobacione.
Muaji i Mërgimtarëve mbyllet të dielën me panairin e makinave “Vera 2016”. /2L ONLINE/