/2L ONLINE/ – Derbi i xhiros 16-të në mes të Gjilanit dhe Prishtinës, është fituar nga gjilanasit me rezultat minimal 1 me 0. Goli u shënua në pjesë lojën e dytë, përkatësisht në minutën e 60 nga Betim Haxhimusa. Derbi ka filluar me një ceremoni të organizuar nga tifoz grupi “Skifterat” dhe menaxhmenti i KF Gjilani në shenjë mirënjohjeje për kontributit shumëvjeçar të Shukri Sulejmanit, i cili u prit me ovacione të gjata në këtë simbolikë nderimi.
Është dashur të kalojnë plotë 15 minuta nga fillimi i takimit që tifozët të shohin rastin e parë paksa më serioz, kur i riu Nebiu i skuadrës vendëse gjuan nga distanca mbi portë. Mysafirët nga kryeqendra ishin ata që në minutën 25-të të takimit shënuan rastin më të mirë, për të ndërruar shifrat e rezultatit, por kur pritej gol i sigurt, sulmuesit e saj u ngatërruan me topin për të përfunduar e paprekur porta e Malokut…
Pjesa e dytë sërish filloi e qetë, por vetëm deri në minutën 60-të, kur pas një gabimi kardinal të portierit mysafirë Alban Muqiqi, i sapo inkuadruari në lojë Betim Haxhimusa, e ndëshkoi pakujdesinë e tij duke plasuar topin nga afërsia në portën e zbrazët.
Mysafirët patën edhe një rast shumë të mirë për të ekuilibruar shifrat në rezultat, kur gjuajtjen e fuqishme të Labinot Osmanit nga distanca, portieri vendës e dëboi vetëm shkurtazi në këmbët e Gentrit Begollit, po ashtu të inkuadruar në pjesën e dytë, i cili nga dëshira e madhe për të shënuar,u ngatërrua duke gjuajtur nga vetëm pak metra jashtë portës së gjerë të gardianit vendës.
Ndonëse iniciativa në çerekun e fundit të lojës ishte tërësisht në anën e mysafirëve, ata nuk ia doli të konkretizoj asnjërin nga disa gjysmëraste. Kjo ishte fitorja e parë e Gjilanit kundër Prishtinës që nga paslufta e këtej në kuadër të garave kampionate.
BOX Deklaratat e trajnerëve:“ Arbnor Morina – Trajner i KF Gjilani
Prishtina sidoqoftë është klubi më i madh në Kosovë, ndaj edhe vullnetit i futbollistëve është të dëshmohet ndaj skuadrës më të madhe apo më të mirë. Ajo çka më ka gëzuar më së shumti, është se këta djem, pas disa problemeve brenda klubit, e kanë kaluar me sukses atë krizë. Ne na kanë shtyrë disa gazetarë në valle për titull, pavarësisht se asnjëherë nuk kemi thënë se ky ishte synim yni, ka përfunduar deklaratën e tij Morina.
Lutz Liderman – Trajner I KF Prishtina
Ndërsa trajneri gjerman i skuadrës së Prishtinës, Ludz Lindemann, pas ndeshjes, vec tjerash ka thënë: “Kjo lojë nuk vendosë kampionatin. Më e keqja është se ne kemi luajtur dhe prezantuar shumë keq. Në mes dy pjesëve u kam thënë lojtarëve që ne nuk në këtë mënyrë nuk mund të vazhdojmë për titull kampioni:, derisa më pas ka pranuar se kjo ishte ndeshja më e dobitë e KF Prishtinës nën drejtimin e tij si timonier i skuadrës.