(2L ONLINE) – Ndonëse me vonesë prej më shumë se një ore, prej kohës së paralajmëruar, presidentja e vendit Atifete jahjaga ka arritur të mërkurën në Gjilan ku është takuar me qytetarë por edhe me kreun e komunës së Gjilanit Lutfi Haziri.
Derisa presidentja Jahjaga ishte nisur në drejtim të hyrjes ku ndodhet selia e kreut të komunës së Gjilanit, dhjetëra qytetarë gjilanas që ishin tubuar filluan të kërkojnë nga ajo që të takohet me popull paraprakisht, gjë të cilën edhe e bëri presidentja, e cila u kthye tek masa për të bashkëbiseduar me ta.
E të pranishmit i treguan asaj për plotë halle të tyre dhe jetën e rëndë që po e kanë qytetarët e thjesht duke arsyetuar madje edhe ikjet e qytetarëve të shumtë drejtë Hungarisë e më tutje. Ata thanë se ndonëse jemi 15 vjet pas çlirimit të vendit dhe shtatë vjet pas pavarësisë , jeta e qytetarëve është përherë e më e rëndë, ndërkohë që pati edhe zëra që pyesnin presidentet se a hahet pavarësi? Ata thanë se qytetarët po vdesin edhe për bukë derisa pushtetarët po jetojnë në luks.
Madje njëri nga qytetarët nuk përtoi ta heq edhe protezën e këmbës dhe ta drejtojë atje lartë, për siç tha ai, të shihet se si jetojnë qytetarët e thjeshtë në krahasim me politikanët që bëjnë jetë luksi. Ai tha se tani i duhet të shkojë në burgim për një dënim –gjobë, sepse jeton me ndihma sociale, ndërsa nuk po dëgjon se në burgje po përfundojnë politikanët e pasur.
E një tjetër qytetar tha se dëshiron t’i tregoi presidentes se familja e tij, por edhe e të tjerëve në lagjen ku jeton bëjnë jetë të rëndë, të papunë, pa perspektivë, dhe duke grumbulluar hekurishte nëpër mbeturina. Ai tha se po jetojmë nga bërlloku.
E një qytetar tjetër ia përkujtoi presidentes luksin, pagat e majme, mëditje e honorarë të tjera që i marrin deputetë, ministra e zyrtarë të tjerë derisa populli jeton në varfëri të skajshme. Madje pati edhe aso ide që deputet, ministra e zyrtarë të tjerë të lartë t’u zvogëlohen pagat, t’u hiqen benifitet dhe nga ato mjete të krijohen fonde për familje të varfra.
E presidentja e vendit jahjaga tha se ka ardhur sot në Gjilan për t’u takuar me ta dhe kryetari ne komunës. Ajo pranoi se Kosova nuk është ajo qysh e kanë pritur dhe e meritojnë qytetarët por tha se shtet- ndërtimi do mund dhe se i kemi vetëm 7 vite që nga shpallja e pavarësisë. për të dhënë porosinë se largimi nga Kosova nuk është zgjidhje për qytetarët, por ata dhe institucionet e vendit duhet të punojnë në kapërcimin e problemeve aktuale dhe për ndërtimin dhe përparimin e Kosovës.
Më pas, presidentja Jahjaga bashkë me kreun e komunës së Gjilanit Lutfi Hazirin është drejtuar drejt hyrjes së selisë së kryetarit të Gjilanit ku tani po zhvillon takim me të, ndër është paralajmëruar se ajo sërish mund të dal në një pjesë të Gjilanit ku frekuentojnë më shumë të rinj për t’u takuar edhe me ta për të diskutuar në lidhje me valën e fundit të migrimit ilegal . /2L ONLINE/