/2L ONLINE/ – Ditë më parë në një shtëpi në Gjilan ishin vjedhë 114 copë telefona të llojit Iphone, Samsung, LG dhe një sasi e të hollave ku sipas viktimës vlera e gjësendeve të vjedhura ka qenë rreth 7000 Euro.
Shih shkrimin: Raportohet një vjedhje e rendë dhe një mashtrim
Nënkolonel Shaban Azizi, zëvendësdrejtor Rajonal, në Drejtorinë Rajonale të Policisë – Gjilan, ka bërë të ditur se pas një pune operative, zyrtarët policore të stacionit të Gjilanit dhe hetues rajonal, kanë arritur t’i identifikojnë dhe arrestojnë 3 persona të cilët kishin kryer këtë vjedhje.
Sipas nënkolonel Azizit, njëri nga konsumuesit e kësaj vepre është i moshës së mitur. Këta janë A.L i vitit 1999,L.K, I vitit 1996 dhe R.I i vitit 1996, të gjithë shqiptarë.
“Pas intervistimit, në prani te avokateve mbrojtës, ata kanë pranuar se kishin kryer disa vjedhje ku pas kontrollit janë gjetur një numër I telefonave po edhe shumë dëshmi tjera që lidhen me disa vjedhje të mëhershme”, ka thënë nënkolonel Azizi.
Sipas tij, njëri nga të dyshuarit ka treguar edhe për një TV Plazma të vjedhur të cilin e kishin dëmtuar gjatë ikjes dhe e kishte hedhur në fushë afër fshatit Velekincë.
Përndryshe, dëshmitë e konfiskuara do t’i kthehen pronarëve kurse të dyshuarit me vendim të Prokurorit janë ndalë në qendrën e ndalimit policore, i mituri për 24 orë kurse dy të tjerët për 48 orë. /2L ONLINE/