Gjilan –(2LONLINE) -Qendra e Artit Bashkëkohor “Varg e Vi” në Gjilan ka realizuar deri më tani një sërë aktivitetesh artistike-kulturore, duke përfshirë: performanca artistike, ekspozita, punëtori dhe debate të ndryshme mbi artin kontemporan.
“Varg e vi” si organizatë multi-artistike duke u përbërë nga artistë vizuelë, poetë, muzikantë dhe aktorë (Jeton Muja, Avni Shkodra, Din Azizi, Kushtrim Zeqiri, Avni Rudaku, Artan Hajrullahu dhe Besim Baftiu) ka arritur të përfshijë në aktivitetet e saj këto punë: vizatime, instalacione, video-instalacione, poezi mobile, monologë dhe performanca të tjera të artit dramatik. Një nga synimet kryesore të “Varg e Vi”-së është edhe sjellja e artistëve dhe krijuesve nga vendet e ndryshme të botës, rajonit dhe vendit.
Pas disa aktiviteteve të realizuara me artiste ndërkombëtare nga Holanda, pason projekti tjetër i radhës. Më 10 shtator 2013 (e marte), ora 19:00, në Qendrën e saj në Gjilan (lagjja “Dardania 1”, afër shkollës fillore “Selami Hallaçi”), “Varg e Vi” do të sjellë bashkëbisedimin me Gjergj Xhuvanin, mbi temën: “Iniciativat bashkëkohore kinematografike”.
“Varg e Vi” pasi solli Burim Bekteshin, bateristin e njohur shqiptar nga Zvicra, për të realizuar punëtorinë mbi baterinë, tani synon që përmes regjisorit të mirënjohur nga Tirana, Gjergj Xhuvanit, të diskutohen rrjedhat e sotme të filmbërjes bashkëkohore dhe dinamikat kinematografike në botë dhe në hapësirën shqiptare. Bashkëbisedimi me Xhuvanin do të jetë rritje e vetëdijesimit dhe informimit për iniciativat bashkëkohore kinematografike dhe inkurajimin e kineastëve të rinj kosovarë për t’u marrë me filmin edhe në kushte të vështira financiare. Ky bashkëbisedim ka për qëllim motivimin e kineastëve të rinj që t’i rreken filmit dhe të marrin iniciativa të bashkëpunimit me produksione vendore e të huaja.
Kjo ngjarje është e hapur për të gjithë filmdashësit, audiencën dhe mediet, duke pasur rastin të bashkëbisedojmë me regjisorin e filmit aq të njohur “Parullat”.
Regjisori i famshëm shqiptar dhe me përmasa ndërkombëtare, Gjergj Xhuvani, i lindur në vitin 1963 në Tiranë, ka përfunduar artin dramatik në Akademinë e Arteve në Tiranë. Nga asistent regjie arriti të bëhet regjisor i shquar që zhvilloi kinematografinë shqiptare në nivelin e kinematografisë botërore bashkëkohore.
Xhuvani ka debutuar me filmin e tij të parë “Bardhë e zi” në vitin 1991 dhe për publikun e gjerë njihet si regjisor, skenarist, producent dhe aktor. Filmi që ka arritur popullaritetin brenda dhe jashtë vendit, mbetet filmi i realizuar në vitin 2001, “Parullat” dhe së fundi me filmin “Lindje, perëndim, lindje” (2008). Xhuvani ka pasuruar kinematografinë shqiptare me inovacionet e tij, duke u bërë një prej regjisorëve më frymëzues edhe për brezat e rinj.
Xhuvani ka marrë pjesë në shumë festivale të njohura si Festivali i Filmit Ndërkombëtar “Filmfest DC 2003”, Kuala Lumpur World Film Festival (KLWFF), e shumë të tjerë. Filmat e Xhuvanit mbeten ndër filmat që ka reprezantuar filmin shqiptar edhe për çmime botërore të “Oscar”-it.
Pas projektit me Gjergj Xhuvanin, priten bashkëpunime me organizatën joqeveritare “Ars Acta” nga Shkupi, projekti me Galerinë e Artit Bashkëkohor në Hamburg të Gjermanisë dhe shumë projekte të tjera me organizata dhe institucione evropiane. /2LONLINE/