(2LONLINE) – Festivali i Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, që p mbahet në Gjilan ka vazhduar tutje me shfaqjen “Gishti”, të Doruntina Basha e me regji të Agon Myftari., të vënë në skenë nga Teatri Shqiptar i Shkupit. Luajtën Amernis Jovanovska Nokshiqi, Zarije Jonuzi, Drita Kaba Karaga. Skenografia Krsta Xhidrov, Muzika Foltin, e kostumet Marija Papuçevska.
Kjo dramë tragjike që pasqyron tragjedinë e një familje shqiptare me të zhdukur, që erdhi në Teatrin e Gjilanit, në kuadër të “Talia-s…”, u vlerësua se reflektoi mirë në publikë dhe mori vlerësime të mira edhe nga kritika, si për dramën, regjinë, lojën e aktorëve, por edhe për elemente tjera që e kompletojnë një shfaqje.
‘Gishti’ është rrëfim për luftën nga perspektiva e grave të personave të zhdukur. Shfaqja bënë fjalë për dy gra, nëna dhe gruaja e një të zhdukuri gjatë luftës, e të cilat bashkëjetojnë një jetë të rëndë, ku edhe dhjetë vite më pas, janë në pritje që djali, përkatësish bashkëshorti, t’u kthehej , ndonëse e para shpreson që ai ti kthehej i gjallë, e gruaja e pajtuar me fatin se ai ka vdekur pret kthimin e trupit të tij.
Kështu, ato që të dyja jetojnë bashkë, por mes akuzave dhe rivalitetit duke ndarë dhimbjen e humbjes së njeriut të tyre, në përpjekje për t’u pajtuar me të vërtetën.
Pra, Shfaqja “Gishti”, eksploron jetën e rëndë të këtyre dy grave, Zojës (Armenis Jovanovska-Nokshiqi) dhe Shkurtës (Zarije Jonuzi ), e ku Zoja duke mos u pajtuar se djali i saj i zhdukur në luftë nuk jeton më, mllefin e saj për këtë gjë e shprehte herë pas here ndaj nuses Shkurtës, nga e cila në fund edhe kërkon që ta lëshojë shtëpinë e djali të saj, pasi nuk mund ta duronte më tek i thoshte vazhdimisht se djali i saj nuk do të kthehej më kurrë në shtepinë ku jetonin bashkë.
Regjisori Agon Myftari, ka nënvizuar se, jo gjithmonë gjërat që duam t`i kujtojmë, detyrimisht na kujtohen, kurse ato që duam t`i harrojmë, arrijmë që t`i shlyejmë përgjithmonë nga kujtesa. Lufta pa dyshim që ka lënë gjurmët e veta tek secili prej nesh, në forma të ndryshme dhe sado që me kohë plagët mund të shërohen, gjithmonë do të mbeten shenja në trupat dhe shpirtrat tanë.
Drama “Gishti” flet për plagët fizike, siç është prerja e gishtit, por edhe në një rrafsh të plagëve dhe gjakderdhjeve të padukshme shpirtërore që marrin gjatë kohës për t`u shëruar krejtësisht. Duhet të kuptojmë rëndësinë e kthimit nga vetvetja, për t`u përballur me gjerat që na takojnë neve e që janë pjesë e historisë, kulturës dhe të së përditshmes tonë.
Drama të tilla, ndonëse pikënisje kanë historinë individuale dhe kolektive të jetës sonë, janë po ashtu aq universale dhe gjithënjerëzore sa arrijnë të prekin thellë shpirtin e çdo njeriu.
Përndryshe, kritika foli kryesisht me pozitivitet për këtë shfaqje, në debatin që organizohet pas çdo shfaqjeje. Josip Papagjoni, Nebi Islami, Naser Shatrolli, Agron Gërguri e ndonjë tjetër vlerësuan regjisuren, tekstin, lpor patën fjalë të mira edhe për lojën e aktorëve e veçmas u përgëzua Armenis Jovanovska-Nokshiqi, në rolin e nënëns. e Vlerësim i përgjithshëm ishte se shfaqja përçoi mesazhin tek audienca.
“Përndryshe, “Talia e Flakës”, vazhdon tutje e ku sonte në kuadër të natës së tretë të këtij festivali jepet shfaqja “Shembja e Kullës së Ajfelit”, e Qendrës Multi Media – Prishtinë, nga Jeton Neziraj me regji të Blerta Neziraj.
E në naten, e katërt vjen shfaqja “Dëshmitari” e Teatrit Kombëtar të Kosovës, me autor e regjisor Selami Taraku. Festivalin e përmbyllë shfaqja “Tri mendje në ankand” e Teatrit Metropol nga Tiranë, e Ferdinand Hysit, me regji të Elma Doresi.
Festivali ka karakter garues dhe në fund të tij juria profesionale do të ndajë nëntë çmime.
“Talia…” përcillet edhe me ligjërata nga Robert Ndrenika, Nebi Islami, Erson Zymberi e Arian Krasniqi, të cilat mbahen çdo të nesërme në mesditë. /2lonline/
/foto: Foto Fari/