Bujanoci është bërë komuna e parë në Luginë dhe në vet shtetin e Serbisë e cila ka shtypur “Gazetën zyrtare” në gjuhën shqipe.
Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit Jonuz Musliu dhe sekretari Emërllah Luftiu prezantuan sot para mediave botimin e parë të kësaj gazete për të cilën thanë se është dashur një angazhim i madh administratës lokale për të realizuar një qëllim të tillë.
Gazeta zyrtare
“Më nëntë tetor doli numri i parë i “Gazetës zyrtare” falë angazhimit të sekretarit dhe stafit të Kuvendit dhe të gjithë të angazhuarve, dhe kështu për herë të parë ka dalë ky botim edhe në gjuhën shqipe”, është shprehur me këtë rast Musliu, raporton Titulli.
Me këtë rast Musliu theksoi se komuna e Bujanocit do t’i ofrojë hapësirë për botim edhe dy komunave tjera ku jetojnë shqiptarët, atë të Preshevës dhe Medvegjës.
Qytetarët e Luginës në këtë gazetë në gjuhën shqipe, do të mund të gjejnë të gjitha aktet dhe vendimet e marra nga Kuvendi i Bujanocit si dhe organet e larta të saj. Më herët kjo komunë ishte detyruar që këto akte ti botonte në “Gazetën zyrtare” të Leskocit dhe Vranjës, të cilat ishin vetëm në gjuhën serbe.
Emërllah Lutfiu
“Është hera e parë në historinë e komunës së Bujanocit që kemi “Gazetë zyrtare” edhe në gjuhën shqipe. Ky botim në dy gjuhë, atë shqipe dhe serbe, do të mundësojë shpalljen e akteve të Kuvendit Komunal, Këshillit Komunal, kryetarit të Komunës si dhe aktet tjera të organizatave publike ku themelues është komuna e Bujanocit”, u shprehë sekretari i Kuvendit, Emërllah Lutfiu.
Gazeta në fjalë nuk mund të gjendet në kioskë si ato të shtypit ditorë, mirëpo qytetarët ate mund ta gjejnë në administratën lokale ose duke bërë parapagesë vjetore.
“Gazeta zyrtare” në gjuhën shqipe dhe serbe do të jetë periodike, që nënkupton se botimi i saj do të bëhet atëherë kur do të ketë aprovime apo ndryshime të akteve të cilat aprovohen në Këshillin apo Kuvendin Komunal