Ukshin Zajmi
(2LONLINE) – Galeria e arteve pamore të qytetit të Gjilanit ia filloi punës para 10 viteve, në bazë të vendimit të Kuvendit komunal të Gjilanit Nr.01-3548/020 të 29 qershorit të vitit 2001, me të cilin vendim është caktuar lokacioni për Muze dhe Galeri në ndërtesën e ish Mbrojtës Popullore të Komunës së Gjilanit, në të cilën në at kohë ishte e vendosur Logjistika e TMK-së së atëhershme, por që përderisa të lirohet kjo ndërtesë me 3 janar të vitit 2003 përmes një Procesverbali të evidentuar në Drejtorin për Kulturë, Rini dhe Sport të Gjilanit me nr.10-116/2003 me datë 8 janar 2003, Qendra Rinore e Gjilanit për Galeri të Artistëve pamor të Gjilanit liron lokalet në katin e dytë të Shtëpisë së Kulturës, e të cilën për këtë qëllim e destinon Drejtoria përkatëse e komunës.
Me nënshkrimin e këtij Procesverbali, anëtarët e Shoqatës së arteve pamore të Gjilanit (e themeluar në vitin 1972), i hynë punës për ta pastruar këtë lokal dhe për ta përshtatur për Galeri. Që prej atëherë e deri më tash, pra qe dhjetë vite, ku lokacion njihet si Galeria e arteve pamore të qytetit të Gjilanit, në të cilën janë mbajtur më së paku nga 5 ekspozita në vit, na tha Avni Behluli-skulptor, përgjegjës për këtë Galeri. Pra, deri më tash, në këtë Galeri janë organizuar mbi 50 ekspozita kolektive, personale e tematike. Për këtë kohë Galeria në fondin e vet ka mbledhur më tepër se 30 vepra të blera e të dhuruara, ndërkaq në ekspozitat tradicionale që mbahen në kuadër të Manifestimit “Flaka e Janarit” dhe Sallonit të Gjilanit, janë shpërblyer më tepër se 50 krijues nga të gjitha disiplinat e artit pamor.
Kjo Galeri, me aktivitetin e saj 10 vjeçar, solli këtu artist nga të gjitha trojet shqiptare, u lidhen miqësi të reja, e u këmbyen përvoja ndër më të ndryshmet, e tuboi me qindra e mijëra spektator, të cilët shijuan vlera të mirëfillta artistike. Kjo, por edhe nevoja për të perfeksionuar talentin bëri që në Gjilan, pos shkollës së mesme të artit pamor të funksionojnë edhe pesë shkolla private të artit, e që të gjitha bënë që komuna e Gjilanit të ketë një armatë prej më se 100 artistëve pamor, ndoshta jo të gjithë aktiv në krijimtari permanente, por, prej tyre 40 kanë arritur gradën e magjistrit. Gjatë këtij aktiviteti Galeria nuk mundi të realizon të gjitha qëllimet e themelimit, sepse deri më tash, nuk ka të punësuar asnjë person, por shpresohet se në të ardhmen, kur shoqëria do të përmbush kërkesat, Galeria do të kryen funksionin, pos të hapjes së ekspozitave (kolektive, personale, tematike e retrospektive), ajo do të organizon edhe ligjërata e seminare, do të themelon fondin e vet të veprave dokumentare e shkencore, (në rast nevoje do të bënë edhe konservimin e tyre) e në këtë mënyrë do të dëshmon kualitetin artistik të komunës e rrethinës e njëherësh do të krijon edhe trashëgimi për ardhmëri. Pos kësaj, kjo Galeri do të themelon edhe Koloni të artistëve pamor (për këtë terreni i Kalasë së Pogragjës është mjaft i përshtatshëm) dhe do të bashkëpunon edhe me institucione të ngjashme në vend e jashtë vendi. Se një mundësi e tillë është e arritshme dëshmojnë edhe aktivitetet individuale të shumë artistëve gjilanas, të cilët edhe në Sallonin e sivjetmë vjeshtor, që u mbajt po në këtë Galeri, sollën artist nga shumë vende të rajonit e botës.
Për t’u arrit e gjithë kjo, komuna e Gjilanit duhet të punëson, së paku një përgjegjës profesional të Galerisë, në buxhetin e saj të inkorporon edhe fonde për këtë destinim e pos kësaj edhe të realizon Vendimin e miratuar nga Kuvendi me datën 29 qershor të vitit 2001 për lirimin e objektit për Muzeun komunal dhe Galerinë e arteve pamore. /2LONLINE/