Kryeministri Hashim Thaçi i ka ftuar qytetarët serbë në veri që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Ai ka falënderuar gjithë spektrin politik kosovar për fillimin e një fushate të qetë, korrekte, konstruktive dhe të standardeve perëndimore.
“Shpresoj dhe besoj fuqishëm që kësaj radhe edhe në veri do të marrin pjesë edhe pjesëtarët e komunitetit serbë, për çka i ftoj që të angazhohen për pjesëmarrje në zgjedhje dhe integrimin e katër komunave në kornizën kushtetuese dhe ligjore të Kosovës, për të ushtruar autoritetin dhe sovranitetin në gjithë territorin e Republikës së Kosovës” ka thënë Thaçi sot në mbledhjen e Qeverisë.