Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), ka miratuar fletëvotimin, për zgjedhjet e 8 qershorit, fletëvotim ky i cili përmban dhe stemën e Republikës së Kosovës, gjë e cila kishte munguar në zgjedhjet lokale.
Gjithashtu është kërkuar që edhe iniciativat qytetare, të kenë logot e tyre në fletëvotime, ashtu siç e kenë të gjitha partitë tjera politike. Në fletëvotim po ashtu shkruhet që duhet të votohen më së shumti pesë kandidat.
Florian Dushi, përfaqësues i LDK-së në KQZ, tha se këto fletëvotime nuk dallojnë shumë nga ato të vitit 2010 dhe se kjo do të jetë më e lehtë për qytetaret, të cilët dalin në zgjedhje.
“Fletëvotimet realisht nuk dallojnë shumë nga ajo që i kemi pasur në vitin 2010. Dhe është mirë që së paku qytetarët, do ta kenë më të lehtë. Sepse nuk ka ndonjë ndryshim substancial”, tha Dushi.
Edhe Betim Gjoshi, përfaqësues i PDK-së në KQZ, i ftoi të gjitha iniciativat që t’i sjellin logot e tyre, pasi që të gjitha partitë, pjesëmarrëse në zgjedhje, sipas tij duhet të trajtohen barabartë.