(2LONLINE) – Trupi gjykues i përbërë nga tre gjyqtar të Gjykatës Themelore në Gjilan ka marr vendim për dënimin në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë vite burg, ndaj të akuzuarit Flamur Shaqiri nga LLadova e Gjilanit, për shkak veprës penale vrasje e rëndë nga neni 30 paragrafi 2 LPK-ës. Kryetari i trupit komunikoi aktvendim, në të cilin thuhet se: aprovohet marrëveshja e pranimit të fajësisë e arritur me datë 06.09.2013, në mes prokurorit të shtetit, mbrojtësit të të akuzuarit dhe të akuzuarit.
Me dënimin me burg prej dymbëdhjetë viteve, do të i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 28 nëntor 1999 deri më datë 08 janar 2000, si dhe koha e kaluar në paraburgim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga data 07.04.2010 deri më datë 29.03.2011.
I akuzuari Flamur Shaqiri është shpallur fajtor, pasi që me datën 28.11.1999, rreth orës 23.45 minuta, në rrugën “28 Nëntori” në Gjilan, në kafiterinë “Kabana” pasi që paraprakisht ishte revoltuar se nuk mund të hyjë në kafiteri për të kremtuar festën e “28 Nëntori”, fillimisht e godet me këmbë derën e kafiterisë, me dashje e me qëllim që ti privojë nga jeta personelin e kafiterisë “Kabana” por edhe të tjerët, shtënë nga pushka automatike AK-47, kal. 7.62 mm, edhe atë në afërsia ashtu që me këtë rast me disa predha godet tani të ndjerin Remzi Buzukun nga Gjilani, 25 vjeçar, i cili nga plagët e marr vdes, ndërsa me këtë rast i rrezikon edhe mysafirët të tjerë të kafiterisë duke i goditur me predha të automatikut në pjesë të ndryshme të trupit sikurse: Ali Mustafa oficer i policisë së OKB-ës, Muhamet Muharremi po ashtu oficer i policisë së OKB-ës, Jeton Mahmuti, Bajram Bunjakun, Burim Sylën, Selami Dubovën, Hysen Shkodrën, Halit Jakupin, Refik Hasanin, Fadil Hotin dhe Driton Shabanin.
Ndërsa i akuzuari të nesërmen arrestohet, kurse me datë 08.01.2000 arratiset nga Kampi Bondstill dhe shkon në SHBA, ndërsa me datë 07.04.2010, sipas letër rreshtimit ndërkombëtar arrestohet nga policia Amerikane në Shtetin e Teksasit në Amerikë për t’iu dorëzuar Policisë së Kosovës në Aeroportin e Prishtinë më datë 29.03.2011.
Ndaj të akuzuarit, Flamur Shaqiri vazhdohet paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar. /2lonline/