(2LONLINE) – Komiteti për Kulturë, Rini, Sport dhe çështje gjinore, i udhëhequr nga kryesuesja Shpresa Kurteshi, sot ka mbajtur mbledhjen e rregullt që pikë të vetme të rendit të ditës kishte informatën për manifestimin kulturor “Flaka e Janarit 2014”.
Me këtë rast U.D. i drejtorit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Bujar Haziri, ka dhënë informatën rreth organizimit të manifestimit kulturor tashmë tradicional që organizohet në shtylla të ndryshme të kulturës që nis me Akademinë e Flakës, pastaj përfshinë, artin pamorë, skenik, letrar dhe muzikor.
“Edicioni i sivjetmë i “Flakës…”, i 23 – ti, me radhë ka zgjatur për një periudhë tri javore, në të cilin kanë defiluar artistë të të gjitha zhanreve. Akademia e “Flakës…” këtë vit u është kushtuar në shenjë nderimi dhe respektin dy dëshmorëve Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, në 30 vjetorin e rënies së tyre. Në artin pamor ishin gjithsej 46 autorë që kanë sjellë 37 piktura, dy grafika dhe shtatë skulptura. Në kuadër të artit skenik të njohur tashmë si “Talia e Flakës” ose Festivalin e Dramaturgjisë Kombëtare, kanë marrë pjesë teatro profesioniste kombëtare me gjithsej 177 artistë dhe rreth dyzet ekspert profesionist. Konkursit letrar të manifestimit “Flaka e Janarit” i kanë arritur 320 punime në prozë dhe poezi. Ora e madhe letrare “Pena e Flakës” sektor tjetër i kulturës kishte mbledhur mbi 50 punime të cilat janë lexuar para të pranishmëve në këtë fushë. Edhe në artin muzikor konkurrenca ishte mjaftë e madhe ku në ftesën për konkurrim ishin paraqitur 26 këngë dhe solist ndërsa janë përzgjedhur 16 këngë për tu interpretuar para publikut duke promovuar vlerat e mirëfillta të këngës popullore shqipe”, ka thënë Haziri.
Ai ka shtuar se në bazë të evidencës në përgjithësi gjatë gjithë manifestimit kanë frekuentuar rreth shtatë mijë pjesëmarrës dhe vizitor nga të gjitha grupmoshat duke përfshirë nga Komuna të ndryshme të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Luginës së Preshevës dhe Diasporës.
Po ashtu ka thënë se e veçantë e këtij manifestimi është se janë rritur vlerat e manifestimit duke bërë kështu uljen e shpenzimeve për më shumë se 50 për qind, krahasuar me vitin e kaluar.
“Këtë vit kemi rritje të vlerave profesionale të manifestimit dhe ulje të madhe të shpenzimeve për më shumë se 50 për qind. Vlera e përgjithshme financiare e gjithë projektit arrin shumën 28605.62 euro”, ka thënë ai.
Kjo pikë e rendit të ditës është rekomanduar nga kjo trupë profesionale, për në Komitetin për Politikë dhe Financa.
Haziri e ka informuar komitetin edhe me përgatitjet tjera që është duke i bërë Drejtoria lidhur me shënimin e festave të ndryshme dhe ditëve të veçanta në historinë e Komunës së Gjilanit. /2lonline/