(2LONLINE) – Festë Flaka ka mbyllur manifestimin Flaka e Janarit, manifestim i cili është organizuar nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës e që ka përshkruar janarin me aktivitete të shumta e të ndryshme kulturore si në artin skenik, pamor, letrar dhe muzikor, por edhe shumë aktiviteteve të tjera. Flaka e Janarit 2014 i është kushtuar 30 vjetorit të rënies së dëshmorëve Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha.
Në natën finale të Festë Flakës fituese e festivalit të muzikës popullore ka qenë solistja Enkelejda Arifi me këngën Qerqiz Topulli, ndërsa vendin e dytë e kanë ndar Ylberina Avdyli dhe Besa Krasniqi, gjithashtu edhe atë të tretin që e kanë ndarë dy këngë garuese të kënduara nga Mallëngjim e Majlinda Bajrami dhe Jetmir Rexhepi. Vlerësimin e ka bërë juria profesionale me Naim Xhoshin – kompozitor, Besiana Mehmeti – soliste dhe Adhurim Rasimi – profesor në shkollën e Muzikës.
Po ashtu organizatori i Flakës së Janarit ka nderuar me plaketën e manifestimit solistin dhe kompozitorin Ilir Shaqiri, e me plaketën e festivalit është nderuar edhe prezantuesja televizive Silvana Braqe, ndërsa për veprimtarinë jetësore është nderuar edhe kompozitori Naim Xhoshi.
Me këtë rast në mbylljen e Festë Flakës dhe njëherit “Flakës së Janarit 2014”, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka thënë se ky muaj është shumë i madh sepse tash e 23 vjet me radhë ky është kthyer në muaj të vlerësimit, gjunjëzimit, nderimit për gjithë heronjtë e kombit.
“Janari është muaj i madh dhe tash e 23 vjet me radhë bashkërisht këtë muaj e kemi kthyer në muajin e vlerësimit kulturor, gjunjëzimit dhe nderimit për heronjtë e Gjilanit, Kosovës dhe Shqiptarisë, dhe sot flaka është e të gjithë shqiptarëve sepse ajo ka në organizimin e saj pjesëmarrës nga të gjitha trojet. Ky vit i kushtohet 30 vjetorit të rënies së dëshmorëve Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, këtyre burrave që nga kodra e trimave na treguan se si luftohet për liri dhe pavarësi, duke rënë dëshmor në moshë shumë të re. Gjilani ka filluar me menduar për zgjerimin e flakës shumë më shumë se tani. 24 vjetori i “Flakës së Janarit 2015” do t’i kushtohet 70 vjetorit të masakrës së mbi dy mijë shqiptarëve në Gjilan dhe 25 vjetorit të rënies heroike të dëshmorit Reshat Ymeri”, pra me këtë rast shpall të mbyllur manifestimin kulturor “Flaka e Janarit 2014”, duke i falënderuar të gjithë art dashit për këtë kohë që kanë ndar të jenë bashkë me neve në këtë muaj nga të gjitha trojet shqiptare”, ka thënë kryetari Haziri. /2LONLINE/