(2LONLINE) – Pjesë e pandashme e “Flakës së Janarit ” deri më tani padyshim është edhe “Peneli i Flakës” në kuadër të të cilit jepen çmimet në artet pamore dhe hapet ekspozita e përbashkët e artistëve nga të gjitha trevat shqiptare. Kësaj radhe ishin 46 punime të krijuesve të ndryshme të cilat u bënë pjesë e kësaj ekspozite.
Komisioni vlerësues në përbërje të: Demir Behlulit – piktor, Rasim Vllasaliut – grafikë dhe Sami Shabanit – skulptor, ka shpallur këta fitues”
Çmimi blerës i Galerisë i takoi krijuesit Zejnullah Zejnullahut
Çmimet tjera
Çmimi për pikturë: Agron Bytyqi
Çmimi për pikturë: Arta Ramadani
Çmimi për skulpturë: Blerta Hyseni
Përndryshe, Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, theksoi se përmes kësaj ekspozite e bëjmë nderimin për sakrificën e dëshmorëve të kombit, të cilën dhanë jetën për të gëzuar ditët e sotme.
Haziri, para artistëve pjesëmarrës nga të gjitha trojet etnike, ka thënë se po kthehet në “Flaka e Janarit 2014”, në manifestimin e 23-të me radhë që organizohet për t’i kujtuar të rënët në janar dhe në periudhat e tjera kohore për ta çliruar vendin.
“Nderin dhe respektin sot e bëjmë ndaj atyre që flijuan, sakrifikuan dhe bënë gjithçka që është e mundur për të mirën e vendit dhe ky manifestim i kushtohet kauzës së tyre. Gjilani gjithnjë nderimin e ka bërë për të gjithë të rënët përmes artit dhe vlerave kulturore. Kjo ekspozitë vazhdon të jetë, të ecë dhe ta zbukuron muajin kulturorë dhe mbarëkombëtar në Gjilan. Prej restoranteve, ambienteve dhe galerive të vogla, për 23 vjet me radhë jemi edhe më tutje në këtë sallë të vogël, të Galerisë së improvizuar dhe Gjilani shumë shpejt duhet të bëhet me Galeri, Muze dhe kinema. Pa këto tri institucione kulturore nuk e ka kuptimin e plotë një qytet siç është Gjilani”, ka thënë Haziri.
Ai shtoi se jemi borxhlinj të artistëve kur e kemi parasysh rrugën kah ka kaluar arti në përgjithësi dhe manifestimi i Flakës në veçanti
Ndryshe, ekspozita “Peneli i Flakës 2014” do të mbetet e hapur deri në fund të Manifestimit “Flaka e janarit 2014” që përfundon me 31 janar. /2lonline/