/2L ONLINE/ – GreenArtCenter-Prishtina(GAC), në bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Gjilanit, përkatësisht Drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Drejtorinë e Arsimit si dhe Organizatën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GIZ, kanë rinisur zbatimin e fazës së dytë të projektit “Gjilani Riciklon”.
Arbereshë Kryeziu Hyseni, zyrtare për komunikim e GAC-it në Gjilan ka bër ëtë ditur se qëllimi i këtij projekti është rritja e vetëdijes së qytetarëve dhe edukimi i brezave të rinj për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe kontributin e tyre për të mbështetur shërbimin që do të ofrohet prej Komunës së Gjilanit për ndarjen e mbeturinave me qëllim stimulimin e riciklimit të tyre.
Sipas saj, faza e parë e këtij projekti në Gjilan, është përmbyllur me sukses pasiqë në shkollat fillore dhe ato të mesme tashmë janë vendosur shportat për klasifikimin e mbeturinave, duke përfshirë edhe konviktin e studentëve si dhe tetë zyre të institucioneve komunale. GAC ka për qëllim, që gjatë fazës së dytë të projektit, ky rrjet të shtrihet dhe shporta të tilla të arrijnë të vendosen në më shumë vende duke u përpjekur kështu që qytetarët të vetëdijesohen akoma më shumë për rëndësinë e ndarjes së mbeturinave.
Arbereshë Kryeziu Hyseni thotë se objektivat e përgjithshme të projektit “Gjilani Riciklon”, janë: rritja e pjesëmarrjes së të rinjve dhe shoqërisë në aktivitete mjedisore, fuqizimi i qytetarisë aktive në procesin e mbrojtjes së ambientit, krijimi i një modeli implementues për inicimin dhe implementimin e një programi për reduktim të mbeturinave në të gjitha institucionet edukative dhe në institucione të tjera në kuadër të Komunës së Gjilanit, si dhe rritja e vetëdijes së nxënësve, mësuesve dhe shoqërisë mbi rëndësinë e procesit të reduktimit dhe ndarjes së mbeturinave si dhe përfitimin ekonomik që vjenë prej ndarjes së mbetjeve dhe zvogëlimin e sasisë së mbetjeve të përgjithshme, deri në momentin kur ato dërgohen në deponi.
Sipas saj, duke u bazuar në këto objektiva, GAC, Komuna e Gjilanit dhe GIZ, presin bashkëpunim të ngushtë nga qytetarët e Gjilanit, duke shpresuar që do të kontribuohet pak nga secili, për një mjedis më të pastër për të gjithë. /2L ONLINE/