/2L ONLINE/ – Me qëllim të eliminimit dhe evitimit të vërshimeve të mundshme që për vite me radhë janë ballafaquar banorët e fshatrave Skifteraj, Budrikë e Radivojc, e gjithashtu edhe ata të fshatit Remnik ku rruga që shpie për në këtë lokalitet shpesh ka qenë e bllokuar si pasojë e vërshimeve, sot ka filluar së realizuari projekti që ka të bëjë me pastrimin dhe rregullimin e përroskave në zonën e këtyre fshatrave.
Ky projekt i komunës së Vitisë, do të mbështetet në bashkëfinancim me fondacionin Kosovë –Luksemburg, dhe parashihet të përfundoj brenda 20 ditësh. Kryetari Vitisë Sokol Haliti së bashku me përfaqësues tjerë që morrin pjesë në fillimin e punimeve në këtë pjesë, është shprehur se Institucionet komunale vazhdojnë të jenë të përkushtuara ndaj premtimeve që i kanë dhënë qytetarëve dhe në këtë kontest, edhe me eliminimin e defekteve siç janë vërshimet dhe përmbytjet që kanë përfshirë për vite me radhë fshatin Budrikë.
Ai duke folur për rëndësinë e këtij investimi, ka thënë se me intervenimin që do të bëhet ne këtë zonë të tokave bujqësore, do të evitohen shumë probleme me të cilat ishin ballafaquar banorët e fshatrave Budrikë, Skifteraj e Radivojc tash e një kohë të gjate, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut që shkaktonin vërshime.
”Ky projekt është i rëndësishëm për sferën bujqësisë, por edhe për mirëqenien e këtyre banorëve që janë përballur me përmbytjet si të sipërfaqeve bujqësore, po ashtu edhe të ekonomive familjare. Këto përroska kanë shkaktuar dëme të vazhdueshme për shumë vite dhe falë bashkëpunimin me Fondacionin Kosovë-Luksemburg që me një bashkëfinancim të arrijmë ta konkretizojmë këtë projekt mjaftë domethënës. Kjo është vazhdimësi e punimeve që i kemi kryer vitin e kaluar në hapjen e përroskave që kanë shkaktuar vërshime”, ka thënë kryetari Haliti.
Gjithashtu në fshatin Skifteraj, sot kanë nisur punimet në hapjen dhe rregullimin me zhavorr të rrugës brenda fshatit, e cila kap një gjatësi prej 300 metrash, rrugë kjo që deri më tani ishte e pakalueshme. Kjo do të ndikoj pozitivisht edhe për bujqit që të kenë qasje më të lehtë në tokat e tyre. Kryetari Haliti tha se kjo rrugë ka qenë prioritet nga banorët dhe domosdoshmëri për tu hapur, pasi që do të lidh dy pjesë të fshatit që për pak angazhim, nuk ka mundur të rregullohet. /2L ONLINE/