(2LONLINE) – Në ditën ndërkombëtare të Konventës për të drejtat e fëmijëve fëmijët Gjilanas vizitojnë Gjykatën dhe takohen me kryetarin e Gjykatës, Zyhdi Haziri.
Në këtë takim është thënë se Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara më 20 nëntor 1989, është një nga aktet më të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare në të cilën janë parashikuar të drejtat dhe detyrimet në të gjitha fushat e jetës së fëmijës, të grumbulluara në një mënyrë kaq të plotë dhe të detajuar si në asnjë akt tjetër juridik në fushën e të drejtave të fëmijëve.
Me këtë rast kryetari i Gjykatës, Haziri ka thënë se institucioni të cilin ai e drejton është duke bërë maksimumin që të jetë në mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve pa dallim, e posaçërisht të fëmijëve. Ai tha se sot të drejtat e fëmijëve nuk mund të themi se respektohen, kur një numër shumë i madh i fëmijëve janë duke jetuar në kushte shumë të vështira ekonomike dhe detyrohen të punojnë punë të cilat janë të rënda për ta. Ai tha se e drejtë e fëmijëve është shkollimi me kohë dhe nën përcjelljen permanente nga prindërit, lojërat poashtu duhet të ekzistojnë për fëmijët por assesi të teprohet dhe të kalohet e gjithë dita me lojëra, gjithashtu ai ka porositur fëmijët dhe prindërit në këtë ditë të rëndësishme Ndërkombëtare që t’i vëzhgojnë në mënyrë të vazhdueshme fëmijët si në shkollë lojëra, internet, lëvizje në rrugë etj.
Nga ana tjetër Hanumshahe Rexhepaj, zyrtare për të drejtat e fëmijëve, pasi i ka informuar në detaje fëmijët lidhur me 20 nëntorin ditën e të drejtave të fëmijëve, ka thënë se fëmijët sot janë në këtë institucion për të marr informacionin nga afër se sa po mbrohen të drejtat e fëmijëve në përgjithësi nga institucioni i drejtësisë. Ajo ka falënderuar edhe kryetarin e Komunës Qemajl Mustafa, për mbështetjen që i kanë dhënë kësaj zyre në përgatitjen e materialeve informuese për këtë ditë të rëndësishme për fëmijët e Gjilanit.
Fëmijët janë interesuar sa i përket Gjykatës në përgjithësi dhe gjykatësve, rruga e cila duhet të ndiqet për tu bërë një gjykatës, themelimi i gjykatës së parë pas luftës në Kosovë, problemet më të shpeshta që i kanë në shqyrtim, shkeljet më të shpeshta të të drejtave të njeriut, nivelin më të ulët dhe atë më të lart të dënimit që parashohin ligjet e Kosovës, manipulimet e ndryshme të gjykatës që mund ti kenë ndodhur nga dëshmitarët etj.
Ndryshe këtë ditë, fëmijëve ua ka uruar edhe kryetari i Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa, duke thënë se angazhimi i tij bëhet përherë në funksion të përmirësimit të kushteve të shoqërisë Gjilanase, zhvillimit të Komunës, prosperimit por edhe për të ardhmen edhe më të mirë të fëmijëve, sikurse që një angazhim bëhet edhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të fëmijëve posaçërisht. Mustafa uron të gjithë duke kërkuar nga fëmijët që të mësojnë shumë në shkollë, të sillen mirë me tjetrin dhe me shoqërinë, të jenë aktiv në lexim dhe zgjerim të diapazonit të njohurive, të informohen vazhdimisht me zhvillimet që ndodhin, por edhe të luajnë e argëtohen në një pjesë të kohës, ka thënë ndër të tjerash ai./2LONLINE/