Fondi për të Drejtën Humanitare, (HDH)me seli në Beograd, ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale për Krime Lufte të Serbisë ndaj komandantëve dhe pjesëtarëve të ish Ushtrisë Jugosllave dhe Njësive Speciale të Policisë, të cilët dyshohen për vrasjen e 78 shqiptarëve të Kosovës, në vitin 1999.
Fondi, nëpërmjet një komunikate për media, ka njoftuar se ka bërë kallëzim ndaj gjashtë (6) oficerëve dhe pjesëtarëve të identifikuar të Brigadës së Motorizuar 125 të Ushtrisë Jugosllave (UJ), komandantit të Repartit 24 të Njësive Speciale të Policisë (NJSP) dhe shumë pjesëtarëve të paidentifikuar të UJ dhe të Repartit 24 të NJSP, njoftoijn] mediat serbe, transmeton rtk.
Midis personave të përfshirë në kallëzim janë ish-komandanti dhe ish-kryeshefi i Shtabit të Brigadës së Motorizuar 125 të UJ, Dragan Zhivkoviq dhe Gjorgje Nikoliq, ish-komandanti i Repartit 24 të NJSP, Zharko Brakoviq, dhe zëvendës-komandanti i Grupit të Pestë Luftarak të të Brigadës së Motorizuar 125 të UJ, Robert Shmajcel.
Fondi ka theksuar se trupat pa jetë të 17 shqiptarëve, të cilët ishin ndaluar nga pjesëtarët e ushtrisë dhe të policisë, më 4 prill 1999, janë gjetur në vitin 2001, në varrezën masive afër liqenit Peruçac, afër qytetit Bajina Bashta, trupat e pajetë të 8 burrave janë zhvarrosur nga varezat në fshatin Brekoc, afër Gjakovës, ndërsa trupat e 53 burrave të tjerë janë ende në kërkim.
Midis 78 burrave të vrarë nga pjesëtarët e ushtrisë dhe të policisë, 11 kanë qenë të mitur, ndërsa 2 prej tyre kanë qenë djelmosha 15 vjeçar, thuhet në njoftim. Fondi për të Drejtës Humanitare pa paralajmëruar për sot publikimin e dosjes “Brigada e Motorizuar 125 e Ushtrisë së Jugosllavisë”.