/2L ONLINE/ – Familja Mala dhe Berisha nga Gjilani, së bashku edhe me udhëheqjen e institucioneve lokale kanë bërë sonte në mbrëmje ndezjen e Flakadanit të “Flakës së Janarit 2017”.
Pas pritjes së bërë për familjet e dëshmorëve, nga kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku-Rexhepi dhe Nënkryetari Kadriu, është bërë ndezja e Flakadanit, që simbolikisht shënon fillimin e muajit kulturor për heronjtë, dëshmorët dhe të rënët për lirinë e Kosovës.
Në fjalën e saj kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Valentina Bunjaku, tha se manifestimi mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”, ka për qëllim nderimin e sakrificës kombëtare që kanë dhënë heronjtë dhe kujtimi që na bënë krenar të gjithëve për veprën e tyre.
“Sot është ditë dhembshme, por edhe ditë krenarie për ju, për ne dhe për të gjithë shqiptarët. Janari është i shenjtë për të gjithë shqiptarët, sepse pikërisht me rëniet heroike në këtë muaj, ka nisur rruga e gjatë dhe e mundimshme e lirisë së Kosovës. Janë bërë 33 vite nga rënia heroike e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, dy kolosëve që janë sinonim i lirisë që ne sot e gëzojmë. Para juve, familjeve të mëdha të Gjilanit, unë sot ndjehem e vogël të flas. E kam vështirë të gjej fjalë, sot nuk është ditë për të thënë fjalë të tjera, pos t’ju falënderojmë pafund. Prandaj, “Flaka e Janarit” është sinonim i respektit dhe i nderit për familjet e dëshmorëve dhe për veprat e mëdha të tyre”, ka thënë ajo duke potencuar që që Gjilani dhe shqiptarët kudo sot janë bërë bashkë për të bërë nderim maksimal për heronjtë, dëshmorët e martirët tanë.
Ndërsa në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit, nënkryetari Rexhep Kadriu ka thënë se është edhe një flakë e janarit që na ngrohë zemrat për dëshmorët e kombit që është ndjenjë krenarie për ne kur kujtojmë heronjtë, dëshmorët dhe të rënët e shumtë të Gjilanit dhe Kosovës.
“Dëshmorët janë më meritorët për lirinë e Kosovës. Ata na bëjnë që të përkulemi para veprës së lavdishme që ata bënë për frymimin tonë. Është janari i zjarrtë dhe i akullt i sakrificës së madhe të kësaj ane. Janari i Rexhep Malës, Nuhi Berishës, i Kadri Zekës, vëllezërve Gërvalla, i Xhevat Qerimit, Reshat Ymerit, i Skenderbeut, i presidentit historik Ibrahim Rugova, i simbolit të shembjes së kufirit, Agim Ramadanit dhe shumë dëshmorëve të tjerë. Flaka e janarit vazhdon të mbetet flakë e pa shuar për punët e mëdha që e presin vendin, e që është amanet i dëshmorëve”, ka thënë Kadfriu, duke theksuar se Republika e Kosovës mbetet përherë mirënjohëse dhe do të jetë e përkulur para veprës së dëshmorëve që dhanë jetën për liri.
Ndryshe, gjatë ditës sot është bërë vizitë në kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, homazhe në lapidarët nëpër qytet dhe pas ndëzjes së flakadanit do të vazhdoj me Film Flakën në datën 14 dhe 15 janar, për të vijuar më pas me Akademinë e Flakës, me datën 17 janar dhe me aktivitete të tjera deri me datën 31 janar 2017. /2L ONLINE/