/2L ONLINE/ – Sot në Debelldeh të Vitisë është bërë përurimi I objektit të shkollës fillore “Ndre Mjeda” në këtë lokalitet, i cili objekt është meremetuar nga mjetet e grumbulluara nga tri vajzat, bashkatdhetare që jetojnë dhe studiojnë në Gjenevë të Zvicrës, Tevide Maliqi, Blerta Suka si dhe Besarta Hyseni.
Këtë aksion humanitar, është realizuar nga këto nxënëse në kuadër të projektit të maturës të cilat i kanë marrë ato në Kolegjin Sismondi të shtetit zviceran. Me rastin e inaugurimit të këtij projekti, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, pasi ka falënderuar vajzat për projektin e realizuar në objektin e shkollës fillore në Debelldeh, ka thënë se ky angazhim për të investuar në arsimim dhe shkollim, tregon përkushtimin e tri vajzave që janë lind e rritë jashtë Kosovës, por që me mendje e shpirt dëshirojnë të ndihmojnë vendin e tyre, të ndihmojnë moshatarët e tyre.
“Me lejoni që të ju falënderoj juve për realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm për nxënësit e fshatit të Debelldehut, e gjithashtu edhe familjet tuaja që iu kanë mbështetur. Rivitalizimi i kësaj shkolle sigurisht se do të mbete gjatë në kujtesën tuaj, sepse jam i sigurt se kur keni vendosur të investonin në një objekt shkollor, ju keni qenë të vetëdijshëm se investimi në shkollë është investim në të ardhmen. Andaj, kjo vepër e juaj, do të mbetet shembull edhe për gjeneratat e tëra që do të mësojnë në këtë shkollë, që do të ju jenë falënderues për vullnetarizmin tuaj që t’ua përmirësoni kushtet për mësim“, u shpreh Haliti.
Ndërkaq Tevide Maliqi nga Presheva, tha se ato kur e kanë zgjedhur projektin e maturës kanë dashur të investojnë në fushën e edukimit dhe arsimit me qëllim që të krijojnë kushte sa më të mira për mësimdhënie dhe mësim nxënie dhe atë në atdheun e tyre.
Mjetet e grumbulluar financiare për realizimin e këtij projekti në Debelldeh, ato ku ndër to përmendi se paratë janë grumbulluar përmes aktiviteteve të ndryshme si: shitja e ëmbëlsirave në vendet publike, organizimi i një koncerti humanitar por edhe donacionet që janë dhënë nga komunat brenda kantonit të Gjenevës së Zvicrës por edhe të ndërmarrjeve të ndryshme. Vajzat bënë me dije se një kontribut të veçantë ka dhënë qendra e Gjenevës ( Ville de Geneve) e cila sipas tyre për këtë projekt ka ndarë 3000 franga zvicerane ndërkaq nga ndërmarrjet ato veçuan kontributin e kompanisë “ Orllati”.
Në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë në rivitalizimin e shkollës në Debellde, kryetari Haliti i ka dhuruar mirënjohje vajzave për këtë aksion vullnetar, ndërkaq nxënësit e shkollës shfaqën një program artistik në shenjë falënderimi për donatoret./2L ONLINE/