Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka shprehur pakënaqësitë për heqjen e taksës së sigurimit për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Qysh në ditën e fillimit të aplikimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e taksës së policës së sigurimit për veturat me targa të komunave Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, kanë reaguar zyrtarët e EULEX-it duke ftuar për sqarim përfaqësuesin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS).
“Pjesëtarët e EULEX-it nuk e kanë mirëpritur heqjen e taksës për policën e sigurimit”, i tha korrespodentit të Titullit, Nehat Rexhepi, shef në pikat kufitare të Byrosë Kosovare të Sigurimeve.
“Unë kisha një takim në mëngjes me zyrtarët e EULEX-it dhe i kam sqaruar se procedura mbetet e njëjta vetëm se Qeveria mbulon mjetet për pagesën e taksës për policë sigurimi”, u shpreh Rexhepi.
Rexhepi poashtu ka njoftuar këta zyrtarët Evropian se qytetarët tjerë nga Serbia do të paguajnë taksën, mirëpo sikurse edhe kanë bërë deri më tani atyre do t’i kthehen të hollat në Graçanicë nga Qeveria e Serbisë.
“I kam sqaruar zyrtarët e EULEX-it se pala serbe ka bërë pagesat qysh nga fillimi i aplikimit të taksës, mirëpo këto pagesa ia ka mbulu Qeveria e Serbisë, duke i tërheq të hollat në Graçanicë. Gjithashtu i dhashë edhe argumentin tjetër se para policisë serbët e Kosovës i ndërrojnë targat e Serbisë me ato të Kosovës për t’i ikur pagesës”, i tha Titullit Nehat Rexhepi, në pikën kufitare Dheu i Bardhë – Konçul.
Ai theksoi se pas marrjes së këtyre informacioneve pjesëtarët e EULEX-it kanë mbet pa fjalë.
Vlen theksuar se që nga dita e hënë (21 tetor) qytetarët shqiptarë të Luginës me veturat e tyre udhëtojnë drejt Kosovës, pa paguar për policën e sigurimit