Të gjitha obligimet që kanë dalë nga memorandumi për ndarjen e Bibliotekës Kombëtare nga ajo Universitare tashmë janë përmbushur, dhe puna mund të fillojë që nga e hëna pa asnjë problem, ka thënë për KultPlus, zëdhënësja e MKRS-së, Jehona Shyti.
Biblioteka Kombëtare nga e hëna do të fillojë punën veçmas nga ajo universitare, kështu ka njoftuar për KultPlus, Jehona Shyti, zëdhënëse e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte. Sipas saj, të gjitha obligimet që kanë dalë nga memorandumi për ndarjen e Bibliotekës Kombëtare nga ajo Universitare tashmë janë përmbushur, dhe puna mund të fillojë që nga e hëna pa asnjë problem, transmeton RTK.
“Të gjitha përgatitjet janë kryer, është paraparë buxheti për Bibliotekën Kombëtare nga ana e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte, pastaj është bërë ndarja e punëtorëve, është emëruar këshilli drejtues i Bibliotekës Kombëtare…”, ka thënë Shyti.
Ndërkohë, për pozitën e drejtorit të këtij institucioni, ajo ka bërë të ditur se konkursi i shpallur do të jetë i hapur deri më 10 janar, dhe më pas do të zgjidhet edhe drejtori. Ndërkohë, punën e drejtorit në këtë fazë është duke e kryer ushtruesja e detyrës, Ramize Bajraktari.
Në anën tjetër, se a do të shënohet ndonjë ceremoni me rastin e ndarjes së bibliotekës, Shyti ka thënë se nuk di se nëse është nevoja. Biblioteka Kombëtare tashmë mbetet në përgjegjësinë e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte, ndërkaq ajo universitare nën përgjegjësinë e Universitetit.